
Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për më 14 maj seancën për shqyrtimin e ankimit të SPAK-ut lidhur me vendimin e gjyqtares Flora Hajredinaj, e cila urdhëronte Prokurorinë e Posaçme të hetonte deputeten socialiste Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumentave dhe pastrimit të parave.
Shkak për shtyrjen u bë mungesa e kallëzuesit, eurodeputetit Fredi Beleri, i cili ka ngritur kallëzimin penal kundër tyre.
Sipas gjykatës, seanca u shty për të garantuar pjesëmarrjen e Belerit ose përfaqësuesve të tij. Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të Belerit i dërguan një shkresë Gjykatës së Apelit, ku pretenduan se zhvillimi i gjykimit me seancë të hapur gjyqësore, në vend të një shqyrtimi në Dhomë Këshillimi, përbën shkelje procedurale. Shtyrja e seancës dhe mosmarrëveshjet procedurale mund të zgjasin procesin
Kujtojmë se kallëzimi penal i Fredi Belerit, i depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfshin edhe Jorgo Goron, përveç Xhaçkës dhe Gaçit. Akuzat lidhen kryesisht me dyshime për shpërdorim të detyrës nga Xhaçka gjatë ushtrimit të funksioneve të saj si ministre, si dhe me veprime të supozuara të falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të parave, ku përfshihet edhe bashkëshorti i saj, Artan Gaçi. Kallëzimi bazohet në dyshime për veprimtari të paligjshme që lidhen me abuzime me pronat dhe interesa ekonomike, të cilat Beleri i konsideron të kryera në dëm të interesave publike.
Lini një Përgjigje