Në dyert e gjykatës vazhdon ping-pongu për dosjen Gërdeci.
Seanca e parashikuar të mbahej sot ndaj ish ministrit Fatmir Mediu është shtyrë sërish dhe si arsye ishte që prokuroria do të verifikojë listën e paraqitur nga familjarët e viktimave të Gërdecit. Sot pritej që familjarët e viktimave të dëshmonin për tragjedinë e ndodhur në vitin 2008, por SPAK ka kërkuar verifikim për ta.
Ditën e sotme në seancë u paraqitëm edhe familjarë të tjerë krahas Zamira dhe Feruzan Durdës. Bashkë me ta, u paraqit Afërdita Canga e cila ka humbur bashkëshortin në tragjedinë e Gërdecit.
Kujtojmë se GJKKO vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish ministrit.
Avokati Dorian Matlija e konsideroi një arritje vendimin e Gjykatës së Posaçme, ndërsa 290 persona, mes tyre të dëmtuar dhe familjarë të viktimave të tragjedisë do të kontaktohen nga gjykata.
Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.
Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Më herët, gjyqi ndaj ish-ministrit ka dështuar dy seanca me radhë për shkak të avokatëve mbrojtës të Mediut të cilët nuk janë paraqitur. Gjykata më herët ka urdhëruar në mungesë të avokatëve që ish-ministri të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti.
Akuzat për Fatmir Mediun
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e akuzon Mediun për “shpërdorim detyre” dhe “për shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak” lidhur me dosjen e shpërthimit në Gërdec.
Dy prokurorët që do të jepnin pretencën janë Altin Dumani dhe Arben Kraja, njëri kreu i SPAK, tjetri paraardhësi i tij.
Kujtojmë se Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por SPAK ende nuk e ka shpallur pretencën për të akuzuarin.
Nga ana tjetër avokatët e ish-ministrit Fatmir Mediu kanë kërkuar që çështja të pushohet për efekt parashikimi, kjo pasi sipas tyre klienti nuk ka asnjë faj për mosveprimin shtetëror ndër vite.
Lini një Përgjigje