Aktualitet22 Shkurt 2024, 22:57

“Vlora po zien”, Artan Hoxha plas “bombën”: Nëse Sulejmani bëhet bashkëpunëtor i SPAK, Nuredin Dumani do duket si vjershë!

Shkruar nga Pamfleti

“Vlora po zien”, Artan Hoxha plas “bombën”:

Artan Hoxha ka folur për arrestimin e Armando Sulejmanit, të cilin e konsideron një personazh shumë të rëndësishëm të botës së krimit.

Në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se nëse Sulejmani, do të bashkëpunonte me SPAK, Nuredin Dumani do të dukej thjesht një "vjershë" para një romani të plotë që mund të tregonte Sulejmani.

Më tej Hoxha shtoi se në Vlorë ka një situatë alerti të lartë, pasi janë rindezur përplasjet mes grupeve.

"U paraqit si një arrestim i rastësishëm, sikur një patrullë e policisë i bëri shenjë dhe ky ndaloi. Por Sulejmani është mbajtur nën vëzhgim që pas arrestimit të ditës së shtunë në Vlorë. Janë ngjarje të lidhura bashkë.  Janë parë lëvizjet dhe kë do të takonte, sepse ka njerëz ende në kërkim në Vlorë, është menduar se mund të takojë ndonjë nga këto, janë personazhe që kanë dalë në ngjarjet me Vis Martinajn më parë.

Armando Sulejmani ka qenë duke lëvizur me një automjet, me target e një Land Rover edhe pse lëvizste me një Benz. Ishte targë e dubluar dhe makinë e vjedhur. Arrestimi i tij është bërë në Durrës, qëllimi ka qenë të parandalohet një atentat i paralajmëruar në Vlorë. Sulejmani ka qenë objektiv i disa atentateve. Ky ka arritur të shpëtojë, në atentat u vranë dy persona. Që në atë kohë ka ndodhur përplasja mes grupit të Edison Harizaj dhe në krahun tjetër ka qenë Armando Sulejmani dhe Sokol Sinomati.

Edhe Muharem Koroveshi edhe Armando Sulejmani, nuk janë tipa që bashkëpunojnë. Janë personazhe të rrahur me “vajë dhe uthull”. Nëse do të thyhet një njeri si ky dhe SPAK bën këtë bashkëpunëtor, Nuredin Dumani dhe Marjus Tafani do të duken si vjershë, sepse ky është roman me disa seri. Është personazh shumë i rëndësishëm, nuk thyhen kollaj. Janë njerëz që edhe në të kaluarën janë përballur me sistemin dhe kanë dalë nga burgu.

Kjo e sotmja, kanë synuar të parandalojnë ngjarje të rëndë në qytetin e Vlorës. Në Vlorë ka një situatë alerti të lartë. Kemi paraqitur që u gjet një depo armatimi, me mina, armë, mjete logjistike. Janë kapur sasi të mëdha eksplozivi dhe të gjithë këto elementë, nëse nuk i bashkon duken si ngjarje rutinë. Që ta kapë një patrullë e zakonshme Armando Sulejmanin, nuk bën vaki kjo punë", tha Hoxha.

hoxha vlorë