
Gjykata e Lartë ka shfuqizuar vendimin e 12 korrikut 2023 të Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila kishte lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, të shpallur fajtor për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj.
Me vendimin e ri, Gjykata e Lartë ka urdhëruar rigjykimin e çështjes në Gjykatën e Apelit, me një trupë tjetër gjykuese.
Vendimi erdhi pas rekursit të paraqitur nga avokati Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes së ndodhur pranë Gjykatës Civile të Tiranës. Në rekursin e tij, Cama kërkonte që edhe Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit dhe ish-bashkëshortja e viktimës, të shpallej fajtore për bashkëpunim në vrasje.
Në vendimin e mëparshëm, Gjykata e Apelit kishte konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, ndërsa Dhurata Saliaj ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për veprën penale të krijimit të kushteve për kryerjen e vrasjes, duke rrëzuar akuzën për bashkëpunim në vrasje.
Krimi ndodhi më 4 qershor 2021, në një lokal pranë Gjykatës Civile në Tiranë. Sipas dosjes hetimore, Mexhit Picari ekzekutoi Kudret Saliajn vetëm pak minuta përpara se të niste seanca e pestë gjyqësore e procesit të divorcit mes viktimës dhe Dhurata Saliajt.
Gjatë të shtënave u plagos edhe avokati Adriatik Cama, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë me Kudret Saliajn.
Sipas hetimeve, konflikti mes palëve kishte në qendër mosmarrëveshjet për kujdestarinë e tre fëmijëve të çiftit.
Jo gjithmone vrasesi eshte krimineli ose fajtori.