TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Maj 2025, 15:31

Xhaçka ia hedh paq, Apeli shfuqizon vendimin që detyronte SPAK-un të hetonte deputeten socialiste dhe bashkëshortin e saj!

Shkruar nga Pamfleti

Xhaçka ia hedh paq, Apeli shfuqizon vendimin që detyronte SPAK-un

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili detyronte Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të regjistronte procedim penal dhe të hetonte Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, për dyshime mbi veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

GJKKO kishte urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të niste hetim për deputeten dhe bashkëshortin e saj, por SPAK e ankimoi, duke njoftuar se nuk kishte gjetur elemente të veprës penale nga hetimi i mëparshëm, duke e pushuar çështjen.

Pas urdhrit të GJKKO, u bë ankimim në Apel nga SPAK dhe shkalla e dytë i dha të drejtë Prokurorisë ditën e sotme.

Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e shkresës së SPAK-ut të datës 27 dhjetor 2024 dhe për regjistrimin e procedimit penal, duke hedhur poshtë detyrimin për hetime të mëtejshme.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 14.05.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 90 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:“1. Pranimin e ankimit të bërë nga ankuesi Dh.A.B.Detyrimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për regjistrimin e procedimit penal dhe për vazhdimin e hetimeve për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 186 287 të Kodit Penal, mbi parashtrimin e kallëzimit penal nr. 181, datë 04.09.2023, sipas pikës 42 të këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:Shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Rrëzimin e ankimit të ankuesit Dh.A.B., me objekt “Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. 22920/1 Prot., datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse”, thuhet në vendimin e Apelit.

Lini një Përgjigje