TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Gusht 2023, 18:14

Zbardhet kontrata/ Si Ilir Beqaj firmosi ‘qorrazi’, ia fali Rrapajt ujin, energjinë dhe qendrën e sterilizimit në QSUT

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhet kontrata/ Si Ilir Beqaj firmosi ‘qorrazi’, ia fali Rrapajt
Mafia e sterilizimit

Ka shumë gjasa dhe dyshime të arsyeshme që Draft-Kontrata është përpiluar jashtë zyrave të Ministrisë, në ndonjë takim privat mes treshes së shokëve Ilir Beqaj, Klodian Rjapaj dhe Ilir Rrapaj...

Detaje tronditëse kanë dalë nga dosja e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ku implikimi i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është qartazi i dukshëm dhe SPAK urgjentisht të veprojë me arrestimin e tij.

Protagonizmi i Beqajt, del jo vetëm në paracaktimin e fituesit të këtij koncesioni me vlerë 100 milion euro, por dhe në krijimin e një dëmi financiar në buxhetin e shtetit prej 588 milion lekë të vjetra, dëm i cili është përllogaritur deri në zbatimin e kontratës koncesionare në muajin Prill 2022.

Ky dëm është llogaritur nga shpenzimet buxhetore në pagesat e ujit dhe energjisë elektrike, të cilat Ministri Beqaj, ja ka hequr si shpenzime kompanisë “Sani Service” duke ja arkëtuar shtetit.

E gjithë praktika konçesionare është piketuar nga “trekëndëshi i Bermudës”, Ilir Beqaj ministër, Ilir Rrapaj miku i ministrit dhe Klodian Rjepaj me detyrë zv/ministër Shëndetësie.

Ndërsa zyrtarët e tjerë të ministrisë dhe përfaqësuesit e kompanive italiane, dalin në dosje si “argatë” apo shërbëtore të devotshëm të tre emrave të mësipërm, duke firmosur një kakofoni dokumentesh.

“Ora News” ka zbuluar se koncesioni ka qenë i trukuar. Madje dhe kontrata finale për përcaktimin e kushteve kontraktuale, është trukuar.

Ka shumë gjasa dhe dyshime të arsyeshme që Draft-Kontrata është përpiluar jashtë zyrave të Ministrisë, në ndonjë takim privat mes treshes së shokëve Ilir Beqaj, Klodian Rjapaj dhe Ilir Rrapaj.

Dhe një fakt i tillë vërtetohet nga pasiviteti i Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zyrtarëve të tjerë Juridikë dhe Ekonomikë në Ministri, duke mos hedhur në tryezën e diskutimit asnjë kusht të kontratës së konçesionit 10 vjeçar.

Njëherësh kontrata është dorëzuar në 4 dhjetor 2015 jo me postë, por dorazi nga “Sani-Service” në ministrinë e Shëndetësisë, gjë e cila tregon zhdërvjelltësinë dhe sigurinë që ka pasur Ilir Rrapaj me zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë.

Përmes e-maileve të zbërthyera nga SPAK, del qartë se pavarësisht ngritjes së një grupi pune me disa emra në Ministri për të negociuar kushtet e kontratës, del qartë se atë e ka negociuar vetë zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, i cili më pas draftin ja ka kaluar anëtarëve të komisionit.

Zbardhet kontrata/ Si Ilir Beqaj firmosi ‘qorrazi’, ia fali Rrapajt
Kontrata e sterilizimit

Ndërsa në 10 Dhjetor 2015 kontrata është firmosur nga ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Në dosje thuhet se SPAK ka sekuestruar procesverbalin e datës 8 dhjetor 2015, i cili është mbajtur në mënyrë të përmbledhur nga anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit dhe përfaqësuesit ligjorë të operatorit ekonomik të shpallur fitues, për negociatat e Kontratës së Koncesionit, ku rezulton të jetë shtetasi Admir Daca.

Në fundin e procesverbalit vërehet se kanë firmosur anëtarët e komisionit të dhënies së Koncesionit dhe përfaqësuesi ligjor i operatorit ekonomik të shpallur fitues Admir Daca.

Ky i fundit paraqitej për herë të parë në këtë mbledhje dhe emri i Dacës, nuk ishte përmendur asnjëherë gjatë përpilimit të dokumenteve nga 2014 e në vijim.

Kjo pasi sipas certifikatës së regjistrimit shoqëria “SaniService” ka filluar veprimtarinë në 3 korrik 2015 dhe “Administrimi" i saj i përkiste Vlonjatit Bledar Rrokaj, një i besuar i Ilir Rrapaj.

Ndërsa Admir Daca është emëruar Administrator i “SaniService” në 1 dhjetor 2015 dhe në datat kur thuhet se është kryer negocimi ky person nuk ka qenë administrator i kësaj kompanie.

Gjithashtu, nuk disponohet ndonjë akt-autorizimi për pjesëmarrjen në negociata të Admir Daca përpara se të emërohet administrator i “SaniService”.

Prokuroria thotë se në lidhje me këtë negocim të kushteve të Kontratës, vërehet se Autoriteti Kontraktor që është Ministria e Shëndetësisë dhe titullari i saj, Ilir Beqaj që ka firmosur, nuk ka paraqitur asnjë pikë për negocim në këtë kontratë.

E gjithë kontrata është hartuar nga “Sani-Service” dhe zyrtarët e komisionit dhe vetë Ilir Beqaj kanë firmosur qorrazi, duke i bërë dhuratë 100 milion euro Ilir Rrapaj, dhe dhuruar ujin, energjinë elektrike, ambientet dhe Qendrën Kombëtare të Sterilizimit në QSUT. /Ora News

beqaj kontrata

Lini një Përgjigje