TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Qershor 2025, 22:27

Zekthi: SPAK-u, “tmerri” i Ramës dhe Berishës!

Shkruar nga Pamfleti

Zekthi: SPAK-u, “tmerri” i Ramës dhe Berishës!

I ftuar në podcastin “Të Pashoq” në kanalin në “Youtube” të Pamfletit, politologu dhe analisti Fitim Zekthi hodhi poshtë mundësin që partitë e reja të rrëzojnë sistemin politik të vjetër.

Sipas tij, partitë e reja nuk kanë forcën, burimet dhe mjetet e nevojshme për ta bërë këtë rrotacion. Për Zekthin, ekziston vetëm një kundërshtar për elitën e vjetër politike, dhe sipas tij, ai është SPAK-u.

Zekthi shprehet se si Rama dhe Berisha e ndjejnë rrezikun që ju kanoset nga SPAK dhe për këtë arsye njëri e sulmon, ndërsa tjetri përpiqet ta mbajë nën kontroll. Analisti theksoi më tej se lufta e SPAK ndaj elitës varte nga mbështetja e SHBA-së, e cila sipas tij fatmirësisht është prezente pas një largimi të shkurtër.

“Së pari, sistemi ynë politik është i mbyllur. Çfarë do të thotë i mbyllur? I mbyllur do të thotë që një elitë politike, e cila ka ndërruar pushtetin herë njëra, herë tjetra, ka prodhuar të njëjtën bazë ekonomike dhe mediatike, pra biznese klienteliste. Mediat i shërbejnë kësaj elite, të cilën unë po e quaj si të tillë, dhe kjo elitë kërcënohet nga SPAK-u. Atëherë ajo bëhet më e egër dhe më e konsoliduar. Edhe mendësia e njerëzve dhe, së bashku me ligje të tjera, funksionon për të mbajtur në këmbë këtë elitë. Prandaj, ky sistem i mbyllur është i vështirë për t’u çarë nga një parti e re. Nuk ka mjetet e duhura. Pra, burimet e sistemit janë të tilla që nuk e lejojnë një parti të re të zhvillohet. Asaj i mungon baza ekonomike, mediatike dhe madje edhe lidhja me krimin. Të dyja partitë e mëdha kanë të njëjtën bazë ekonomike, mediatike, të njëjtën bazë krimi dhe të njëjtën gjuhë. Kjo e bën shumë më të vështirë çarjen e sistemit.

SPAK-u është një alternativë. Pra, rreziku i vetëm për politikën shqiptare është Prokuroria Speciale SPAK, e cila padyshim është armiku më i madh i tyre, dhe kjo vihet re përditë nga të dyja palët. Rama bën gjithçka që SPAK-u të mos marrë frymë, Berisha e sulmon përditë, PD-ja e sulmon përditë, sepse të dyja palët janë prekur nga ajo. Ministra, ish-ministra, deputetë, zyrtarë të lartë etj. Tani, kjo do të varet shumë nga përkrahja ndërkombëtare. Për fat të mirë, amerikanët nuk janë tërhequr nga mbështetja për SPAK-un”, tha Zekthi.

Lini një Përgjigje