TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Nëntor 2025, 11:39

Zgjedhjet e pjesshme lokale, policia publikon planin e masave 

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet e pjesshme lokale, policia publikon planin e masave 
Foto Ilustruese

Polica e Shtetit ka publikuar planin e masave me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit në 5 bashki të vendit.

Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.

“Lista me 612 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar. Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim. Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00. Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore. Më datë 09.11.2025, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit. Janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.

Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ-ja, dhe do të jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë. Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, janë në terren, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të tjetërsuar votën nëpërmjet shitblerjes apo formave të tjera.

Gjithashtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit për procesin zgjedhor”, njofton policia.

 

zgjedhjet e pjesshme lokale

Lini një Përgjigje