Realisht janë regjistruar si OJF mjedisore detare me 12 mjete ujore të llojit “Veliera”, por përdorin 250 të tilla, ndërsa policia pengon e bllokon mjetet e tjera personale e ato të hoteleve, për t’i krijuar akses biznesi mjeteve ilegale me logo “Albanian Sailing” të ministrit të policisë dhe ortakut të tij trafikant e pastrues parash, me dosje te DEA, EUROPOL e SPAK...
Duke marrë shkas, nga vrasja e 7-vjecares më 2 gusht 2022 me skaf nga një komisar policie në plazhin e Potamit- Himarë, këtë sezon policia po kontrollon mjetet ujore të transportit e argëtimit.
Është për t’u përshëndetur, fakti që policia gjobit, bllokon e sekuestron mjetet lundruese pa dokumente, pa leje drejtimi, përdorimi e licencë biznesi dhe që shkelin rregullat e sigurisë, madje jepen dhe shifra ndëshkimesh në plazhet e zonave Ksamil, Sarandë, Himarë, Vlorë, Kavajë, Durrës, Lalz, Kepi Rodonit, Shëngjin e Velipojë.
Por informacionet që disponon “Pamfleti”, bëjnë me dije se një “flotë” mjetesh ujore me logon “Albanian Sailing” nuk kontrollohen, nuk gjobiten, nuk bllokohen e nuk sekuestrohen nga policia e rendit, policia e anti-krimit dhe policia kufitare.

Janë mjete ujore të llojit veliera, mini-anije, varka me pedale e vela, skafe, mini-jahte, JetSki, motorë uji, skuter e gomone, të cilët kanë pushtuar plazhet kryesore nga Velipoja në Ksamil, por lejohen të shkelin çdo perimetër ujor e rregull sigurie në zonën e notimit.
Policia nuk i prek këto mjete ujore me logon “Albanian Sailing”, mbasi ato janë biznes i përbashkët i dy ortakëve: Ministrit të Brendshëm Bledar Çuçi dhe trafikantit Roland Ziu, ndërtues kullash, pronar hotelesh e resortesh në Tiranë e Himarë, koncesionar i Kepit të Rodonit dhe i terminalit të pasagjerëve Tiranë-Korçë-Greqi.
Madje, policia e shtetit pengon e bllokon mjetet e tjera ujore në përdorim personal dhe biznes i hoteleve, për të krijuar akses shfrytëzimi për mjetet me logon “Albanian Sailing” të ministrit të policisë dhe ortakut të tij trafikant e pastrues parash me dosje te DEA, EUROPOL e SPAK.
Flitet për një shoqatë OJF-Mjedisore Detare të quajtur “Albanian Sailing Club”, që sipas regjistrit tatimor, regjistrit të policisë kufitare e Drejtorisë së Regjistrit Detar, ka vetëm 12 veliera vrojtuese e sportive, pa të drejtë biznesi.
Mirëpo sipas informacionit, Bledar Çuçi e trafikanti Roland Ziu, kanë pushtuar plazhet nga veriu në jug me 250 mjete ujore, duke bërë biznes pa licencë, por nuk kontrollohen nga policia për dokumentacionin e nuk preken kur shkelin perimetrin e hapësirës së notimit dhe sigurisë publike.
Pra, “Albanian Sailing Club” është shoqatë, krijuar më 20 qershor 2019 nga Bledar Çuçi dhe me ortak e administrator Roland Ziun; madje ky, kur Çuçi ishte Ministër Bujqësie, ka marrë 3 milionë Euro tenderë./Pamfleti
Lini një Përgjigje