TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia22 Qershor 2026, 17:30

Ardi Kollçaku, "lavatriçja" e kokainës që mori lejen për kullën Tirana Tower; dy detaje që e vendosin në qendër të dosjes së SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Ardi Kollçaku, "lavatriçja" e kokainës që mori
Ardi Kollcaku, Tirana Tower/

"Brain VP", njëra nga dy kompanitë që SPAK dyshon se futën para droge me nga 25% në kullën "Tirana Tower", ndan të njëjtën godinë zyre me "Anchor Investments" të Ardi Kollçakut dhe drejtohet nga Vasil Pelin, i njëjti person që administron edhe "Anchor Beton" të grupit...

Sipas dosjes së SPAK, biznesmeni Ardi Kollçaku e kishte kthyer kullën "Tirana Tower" në një lavatriçe parash kokaine. Ortaku i "Anchor Investments" mori dy bashkëinvestitorë në projekt, të cilët SPAK i lidh drejtpërdrejt me trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe futi 50% të kapitalit të kullës nga paratë e pista. Sipas dosjes struktura e financimit që ai ndërtoi për kullën e Tiranës e vendos atë në qendër të dosjes si organizatori i dyshuar  i një skeme pastrimi parash.

SPAK dhe BKH ushtruan kontroll te "Anchor Investments" dhe projektet e saj, përfshirë Tirana Tower, në kuadër të operacionit kundër trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave. Kollçaku nuk figuron mes personave të arrestuar, as mes atyre me masa sigurie. Por dosja e nxjerr Kollçakun si arkitektin e një strukture financiare ku paratë e drogës hynë në kullë përmes dy kompanive fasadë, me një administrator që qëndron njëkohësisht mbi paratë dhe mbi betonin.

Struktura 50-25-25, si hyjnë paratë e pista në kullë

Projekti i "Tirana Tower" ndahet në tri kuota. "Anchor Investments" e Kollçakut mban 50% të investimit, merr përsipër të gjitha procedurat ligjore dhe lejen e ndërtimit. Pjesa tjetër, 50%, ndahet mes dy subjekteve: "Altea Construction" me 25% dhe "Brain VP" me 25%. Të dyja kontribuojnë "në para", sipas marrëveshjes te noteria. SPAK i lidh këto dy subjekte me trafikun e kokainës, dhe Kollçaku ishte ai që i futi në projekt.

"Bashkëinvestitori" që ndan të njëjtën derë me Kollçakun

"Brain VP", një nga bashkëinvestitorët që SPAK e lidh me para droge, ka selinë në të njëjtën godinë, të njëjtën shkallë dhe të njëjtën zonë kadastrale me "Anchor Investments" të Kollçakut. Numri i pasurisë së Anchor është 1/367-N, i Brain VP është 1/367-N2. Dy njësi ngjitur në të njëjtin kat të së njëjtës ndërtesë. Bashkëinvestitori i jashtëm ndan të njëjtën derë zyre me zhvilluesin. Një "rastësi" që flet vetë.

Vasil Pelini është administrator dhe ortak i vetëm i "Brain VP", kuotës 25% që SPAK dyshon se vjen nga droga. Pelini është njëkohësisht administrator i "Anchor Beton", njësisë së prodhimit të betonit të grupit lavatriçe. I njëjti person qëndron mbi paratë që hyjnë në projekt dhe mbi betonin me të cilin po ndërtohet kulla. Një nyjë që e bën të pamundur të besosh se "Brain VP" është një palë e pavarur.

SPAK dyshon se paratë e trafikut të kokainës janë futur në projekt përmes këtyre dy bashkëinvestitorëve. Kontrollet janë urdhëruar te operatorët ekonomikë të shtetasit Isa Aliu si dhe te subjektet që kanë bashkëpunuar me ta.

A kishte dijeni Ardi Kollçaku se kapitali i dy bashkëinvestitorëve të projektit vinte nga trafiku?

Si u likuiduan konkretisht kontributet "në para" të Brain VP dhe Altea Construction, përmes bankës apo me dorë? 

Kush e financoi Brain VP dhe nga erdhi kapitali i saj, krahasuar me momentin kur hyri në projekt?

Kontrollet e BKH-së, struktura 50-25-25 e Tirana Tower, selia e përbashkët e "bashkëinvestitorit" me zhvilluesin dhe nyja Vasil Pelin që lidh paratë me betonin, e vendosin Ardi Kollçakun në qendër të një dosjeje që kërkon llogari. Pyetja nuk është nëse kjo dosje do të zbardhet, por sa lart do të shkojë dhe çfarë do të zbulojë për kullën "Tirana Tower". /Pamfleti

ardi kollçaku tirana tower

Lini një Përgjigje