TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia11 Qershor 2026, 19:53

“Bordi i krimit” merr peng Universitetin e Shkodrës, rektori Gjuraj jep dorëheqjen në shenjë revolte dhe denoncon pazaret

Shkruar nga Pamfleti
“Bordi i krimit” merr peng Universitetin e Shkodrës, rektori
Tonin Gjuraj dhe letra e dorëheqjes

Në një letër të fortë drejtuar ministres së Arsimit, ai denoncon ndërhyrje në autonominë universitare, vendime të paligjshme të Bordit të Administrimit, injorimin e një raporti zyrtar të Ministrisë dhe trajtim preferencial për administratorin Mark Molla. Gjuraj akuzon Bordin se ka “forcën, por jo të drejtën”, ndërsa largimi i tij vjen mes polemikave për nxjerrjen në pension të disa prej profesorëve më të njohur të universitetit dhe mbajtjen në detyrë të administratorit.

Universiteti i Shkodrës është përfshirë në një krizë të thellë institucionale, e cila ka kulmuar me dorëheqjen e parevokueshme të rektorit Tonin Gjuraj.

Ky i fundit i ka dhënë një shuplakë shumë të fortë ministreshës së Arsimit Mirela Kumbaro, duke refuzuar pazaret dhe pisllëqet që u bënë nga Bordi i Administrimit.

Pak ditë më parë Bordi i Administrimit të Universitetit, ka vendosur shtyrjen e daljes në pension të administratorit Mark Molla dhe ka çuar në pension disa nga figurat më të njohura të këtij institucioni. Të cilët janë asete të kërkimit shkencor dhe diturisë, të njohur nga studentët, institucione ndërkombëtare dhe vendore.

Rektori ka vendosur të ndërmarrë një vendim ekstrem, por edhe akt qytetar, duke ja u plasur në fytyrë pazarllëqet si Ministrisë së Arsimit, si Bashkisë, ashtu edhe anëtarëve të bordit.

Në një letër të gjatë drejtuar ministres së Arsimit, Gjuraj kujton se mandati i tij buron nga vota e komunitetit akademik dhe se drejtimi i universitetit nuk mund të kthehet në një mekanizëm imponimi nga struktura që, sipas tij, nuk kanë as legjitimitetin dhe as autoritetin për të marrë në dorë institucionin.

Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës”, shkruan Gjuraj.

Rektori deklaron hapur se vendimi i Bordit për administratorin është i papranueshëm dhe se kriza është thelluar më tej nga vendime të tjera që ai i konsideron jashtë çdo baze ligjore.

Vendimi i BA-së për emërimin e administratorit është, sipas meje, i papranueshëm dhe një qëndrim të tillë, siç dihet, unë e kam bërë publik. Por kjo thellohet më tej, kur po ky Bord, pa bazë ligjore, në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese në raport me stafin tjetër akademik e administrativ, merr vendimin për t’i shtyrë moshën e daljes në pension”, shkruan ai.

Por akuzat nuk ndalen këtu. Në letër, Gjuraj zbulon se Bordi i Administrimit ka injoruar edhe një raport zyrtar të ngritur nga vetë Ministria e Arsimit për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave të rekrutimit në universitet.

Sipas rektorit, raporti i grupit të punës i ka dhënë të drejtë pretendimeve të tij, por pavarësisht kësaj, Bordi ka vendosur ta shpërfillë.

BA, përfshirë dhe 4 përfaqësuesit e MA në të, injoron dhe hedh poshtë me arrogancë Raportin Final të Grupit të Punës të ngritur prej jush, pas kërkesës time, për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrativ në vitin 2025”, shkruan Gjuraj.

Më tej ai citon drejtpërdrejt përfundimin e raportit.

Ky raport i jep të drejtë pretendimeve të rektorit, ku konkludon qartë se: ‘shpallja për punësim nga BA është e pavlefshme’. Vendimi i BA nr. 2015, datë 15.07.2025, është në kundërshtim me ligjin nr. 80/2015 dhe si i tillë është nul dhe nuk duhet të sjellë pasoja juridike”, thekson ai.

Një tjetër akuzë e rëndë lidhet me mënyrën se si, sipas rektorit, po administrohen fondet dhe projektet brenda universitetit.

Gjuraj pretendon se po kryhen pagesa preferenciale honorarësh pa miratimet dhe filtrat e nevojshëm akademikë.

Bordi i Administrimit vijon shkeljet ligjore, duke paguar honorare projektesh në mënyrë preferenciale, pa vendime Bordi, por direkt nëpërmjet administratorit, pa filtër shkencor dhe të pacertifikuar nga drejtoria përkatëse dhe rektori, siç ka qenë dhe është praktika normale”, shkruan ai.

Pjesa më e fortë e letrës vjen në fund, kur rektori pranon se nuk ka më mundësi të përballet me atë që e konsideron një imponim institucional.

Sa sipër, unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej BA, kurse ata, të gjithë së bashku, kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar”, shkruan Gjuraj.

Dorëheqja e rektorit vjen vetëm pak javë pasi Pamfleti denoncoi publikisht përplasjen e krijuar në Universitetin e Shkodrës për çështjen e administratorit Mark Molla.

Është nxjerrë në pension Alfred Çapaliku, profesor i hershëm i letërsisë në Universitetin e Shkodrës, doktoresha e shkencave Diana Molla, profesorë legjendar, Elez Osmani, Zenel Lohja, Ikbale Kalaja, Gjon Shllaku e Roland Guli.

Janë nxjerrë më pas në pension, stafi akademik: Olimpia Lacaj-Kakarriqi, Diana Spahia- Muriqi, Zamira Kasemi- Kallugjeri, Aida Lezha-Luka, dhe Ymer Lugji.

Ndërsa Mark Molla është lënë në punë edhe për 5 vjet, vetëm e vetëm se ai ka një mbështetje nga kasta politike e vjetër dhe ajo kriminale e Shkodrës si dhe nga ministrja, e supërkorruptuara, Mirela Kumbaro- Furxhiu. Bordi i Administrimit të Universitetit të Shkodrës, që ka marrë direktivat nga ministrja, është bërë palë me krimin.

Letra e Gurajt:

E nderuar zj. Ministre,

Po ju drejtohem me këtë letër, për të ripohuar një parim themelor, i cili udhëheq mënyrën se si e kuptoj dhe ushtroj detyrën që më është besuar, si dhe përgjegjësinë institucionale që buron prej saj. Ky parim duhet të mbetet i qartë dhe i pandryshueshëm në çdo rrethanë, që lidhet me funksionimin dhe drejtimin e universitetit.

Detyra e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” më është besuar përmes një procesi konkurrimi dhe votimi akademik. Mandati buron nga komuniteti universitar dhe, mbi këtë bazë legjitimiteti, mbështetet drejtimi i këtij institucioni publik.

Kandidimi për këtë detyrë nuk ka qenë një hap për të përmbyllur një karrierë personale, tashmë të konsoliduar prej kohësh në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe diplomaci. Përkundrazi, pranimi i këtij funksioni lidhet me bindjen se, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” meriton një proces të mirëfilltë transformimi institucional, mbështetur në transparencë, përgjegjësi publike dhe respekt për autonominë universitare, në përputhje me rolin e rëndësishëm që ky institucion zë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.

“Bordi i krimit” merr peng Universitetin e Shkodrës, rektori

Detyra e rektorit nuk është as mision personal, as një mekanizëm imponimi, por një funksion institucional, që kërkon partneritet dhe mbështetje për forcimin e cilësisë akademike, përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe afirmimin e universitetit në rolin që i takon në jetën publike dhe zhvillimin intelektual të qytetit të Shkodrës e më gjerë.  Kjo është një përgjegjësi, nderim dhe detyrim ndaj traditës së këtij institucioni dhe këtij qyteti, por, mbi të gjitha, prindërve dhe studentëve që ia besojnë këtij universiteti formimin dhe të ardhmen e tyre.

Që në fillim të ushtrimit të detyrës sime kam theksuar se, universiteti duhet të qëndrojë larg çdo ndikimi politik.  Rektori nuk përfaqëson interesa politike, por ai shërben në funksion të komunitetit akademik dhe publikut.  Në këtë kuptim, çdo mbështetje institucionale, përfshirë edhe ajo e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Shkodrës, që, në fakt, nuk kanë munguar, ka qenë dhe mbetet e mirëpritur, sa kohë që respekton këtë parim dhe kontribuon në zhvillimin e universitetit.

Në këtë frymë, kam kërkuar mbështetje për përpjekjet e nisura dhe jo krijimin e barrierave artificiale, që pengojnë një proces transformimi të domosdoshëm për universitetin dhe rolin që ai duhet të ketë në jetën e qytetit.

Kjo qasje, mesa duket, nuk gjeti mirëkuptimin e duhur dhe nëse ushtrimi i këtij funksioni shoqërohet me ndërhyrje që cenojnë autonominë institucionale, atëherë nuk po hezitoj të lë në tavolinë dorëheqjen time dhe t’i rikthehem jetës akademike si profesor.  Rektori është i përkohshëm, Bordi i Administrimit (BA) i jashtëkohshëm, por Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është dhe mbetet i përhershëm.

Vendimi i BA-së për emërimin e administratorit është, sipas meje, i papranueshëm dhe një qëndrim të tillë, siç dihet, unë e kam bërë publik.  Por, kjo thellohet më tej, kur, po ky Bord, pa bazë ligjore, në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese në raport me stafin tjetër akademik e administrativ, merr vendimin për t’i shtyrë moshën e daljes në pension.  

Përveç kësaj, BA, përfshirë dhe 4 përfaqësuesit e MA në të, injoron dhe hedh poshtë me arrogancë, Raportin Final të Grupit të Punës të ngritur prej jush, pas kërkesës time, për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrative, në vitin 2025, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.  Ky Raport i jep të drejtë pretendimeve të rektorit, ku konkludon qartë se: “shpallja për punësim nga BA është e pavlefshme”.  Vendimi i BA, nr. 2015, datë 15. 07. 2025 “Për miratimin e kritereve për procedurat e rekrutimit të stafit në varësi të administratorit”, është në kundërshtim me ligjin nr. 80/2015, dhe si i tillë është nul dhe nuk duhet të sjellë pasoja juridike.

Bordi i Administrimit vijon shkeljet ligjore, duke paguar honorare projektesh në mënyrë preferenciale, pa vendime Bordi, por direkt nëpërmjet administratorit, pa filtër shkencor dhe të pacertifikuar nga drejtoria përkatëse dhe rektori, siç ka qenë dhe është praktika normale. 

Sa sipër, unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej BA, kurse ata, të gjithë së bashku, kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar.  

Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës.

Lutem, zj. Ministre, t’i referoheni nenit 39 të Ligjit 80/2015, pika 9, për të garantuar vijimin normal të funksionimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, pas dorëheqjes time të parevokueshme, në dobi të studentëve dhe komunitetit akademik.

Përulem me mirënjohjen më të thellë dhe shpreh ndjesën më të madhe para dhe për qytetarët e Shkodrës, prindërve të studentëve, stafit akademik, administratës dhe studentëve, veçanërisht atyre që mbështetën projektin tim të përditësimit të traditës, nxitjes së transparancës, si dhe nisjes së transformimit institucional, i cili, edhe pse me barriera e vështirësi nga më të ndryshmet, sapo kishte filluar të shfaqte frytet e para.

I uroj përjetësi UNISHK-ut dhe suksese në punën tuaj, zj. Ministre!   

Me mirëkuptim,

Prof. Dr. Tonin Gjuraj

 

gjuraj shkoder

Lini një Përgjigje