
Pavarësisht vendimit gjyqësor të formës së prerë, që investitori i huaj në Malësi të Madhe të vazhdojë punimet, ky vendim nuk po zbatohet sepse KRRT me Kryetar kryeministrin, nuk po firmos lejen, madje qeveria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku Sokol Sadushi ka pezullur vendimin e gjykatës në shkelje të ligjit
Edhe kur vijnë investime të huaja, për arsye interesash klanore e korruptive të pushtetarëve, ato pengohen edhe pasi fitojnë të drejtën me vendim gjykate të formës së prerë
Fakti është ky: Në vitin 2012 një investim bullgar me administrator Dimitar Botev dhe investitori shqiptar Edmond Sterkaj, krijuan kompaninë “Malësia Solar 1-2-3”, me objekt investim në fushën energjitike, për prodhim e import-eksport të energjisë elektrike.
Në vitin 2012, investitorët nënshkruan marrëveshje me Komunën Shkrel, ku morën me qira 15 ha tokë për 30 vite, për ndërtim Central Elektrik Fotovoltaik me fuqi 7.5 deri 8.6 Megawatt.
Projekt-Investimi është 10 milionë Euro, i cili edhe prej Qeverisë, Këshillit Kombëtar të Territorit e Ministrisë së Energjisë që dhanë lejen e ndërtimit, u konsiderua mundësi zhvillimi ekonomik për zonën Malësi e Madhe, pasi krijon 120 vende të reja pune.
Me Vendim nr. 21, datë 14.01.2015, Ministria e Infrastrukturë-Energjisë, dha lejen për miratimin e autorizimit të ndërtimit te këtij Centrali Elektrik Fotovoltaik.
Ndërsa Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendimet nr. 3. 4 e 6 të datës 28.07.2016 të firmosur nga kryeministri Edi Rama, ka miratuar lejet e ndërtimit Centralit Elektrik Fotovolaik nga kompania “Malësia Solar 1-2-3” me investitor të huaj e shqiptar në vlerë 10 milionë Euro.
Në vitin 2016, investitorët e huaj sponsorizuan vendosjen e paneleve diellore në tarracën e Ministrisë së Infrastrukturë-Energjisë, ndërsa në vitin 2016, kompania “Malësia Solar 1-2-3” vendosi t’i paguante taksën Bashkisë Malësi e Madhe dhe të merrte zbardhjen e lejes ndërtimit.
Por Bashkia Malësi e Madhe, në Shkelje të Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për taksat vendore”, i kërkoi kompanisë “Malësia Solar 1-2-3”, të paguante taksën e ndërtimit, jo në vlerën financiare 0.1% të vlerës së investimit siç e përcakton ligji, por në vlerën 3%.
Në këtë moment, Bashkia filloi bllokimin e lejes së ndërtimit, duke i krijuar vonesa të pafundme këtij investimi të huaj, mbështetur edhe nga qeveria, konkretisht nga kryeministria.
Duke mos gjetur zgjidhje, madje duke u penguar nga pushteti lokal e pushteti qendror, kompania “Malësia Solar 1-2-3”, vendosi t’i drejtohet Gjykatës, për të zgjidhur këtë ngërç anti-ligjor.
Objekt i akt-padisë ishte ky: pagesa e taksës në masën 0.1%, si dhe shtyrjen e afatit të përfundimit të veprës, sepse vonesat janë shkaktuar nga Bashkia e Malësi e Madhe; ndërsa më 13 janar 2018, kompania fitoi të drejtën për të paguar taksën 0.1% dhe vazhdimin e punimeve.
Por pavarësisht Vendimit Nr 122, datë 21.02.2020 të Gjykatës Administrative të Shkallës Parë dhe vendimit të formës prerë datë 07.10.2021, kompania “Malësia Solar 1-2-3”, vazhdon të pengohet e zvarritet, sepse Këshilli i Territorit me kryetar kryeministrin Edi Rama, nuk po firmos akoma lejen e vazhdimit të punimeve për ndërtimin e Centralit Fotovoltaik.
Në media, parlament e takime elektorale, kryeministri Edi Rama deklaron se mbështet investimet në Shqipëri dhe bën thirrje për investime të huaja, ndërsa investimit të huaj “Malësia Solar 1-2-3”, po i vonon lejen e vazhdimit të punimeve, paçka se është vendimi i formës së prerë.
Madje vonesa e kryeministrit për 1 firmë të ligjshme, rrezikon largimin e investitorit të huaj, sepse Këshilli i Ministrave ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku Sokol Sadushi, shërbëtori i kryeministrit Edi Rama, ka pezulluar çështjen gjyqësore./Pamfleti