TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Prill 2026, 18:01

Erdit Tepelena, krahu i djathtë i Enea Mitrit në perandorinë e call center-ave mashtrues

Shkruar nga Pamfleti

SPAK-u ka goditur kartelat e call center-ave vetëm me nxitje nga jashtë, por Tepelena, Mitri dhe grupi i tyre vijojnë të mbeten të paprekur

Erdit Tepelena, krahu i djathtë i Enea Mitrit në perandorinë e
Erdit Tepelena, Enea Mitri/

Erdit Tepelena, ortak i drejtpërdrejtë i Enea Mitrit, operon i paprekur në krye të rrjetit të call center-ave me fasadë mjekësore, me krahët e ngrohta nga pozicioni i një familjari në drejtësi. Përmes kompanive E&E Holding dhe DigiDoc Doctors, grupi i strukturuar kriminal ka vjedhur miliona euro nga qytetarë evropianë, me baza në Tiranë dhe Dubai.

Muaji i fundit ka qenë i nxehtë për call center-at në Shqipëri, me operacione të njëpasnjëshme, goditje në Tiranë e në rrethet, pranga e sekuestrime. Por një grup nuk është prekur fare dhe një emër mungon në listat e të arrestuarve. Erdit Tepelena, ortak i drejtpërdrejtë i Enea Mitrit dhe një prej kokave kryesore në Tiranë të mashtrimit me pasoja të rënda të qytetarëve evropianë, vijon i patrazuar, me krahët e ngrohta nga pozicioni i një familjari në drejtësi.

Enea Mitri është ngritur në nivelin e grupit të strukturuar kriminal dhe vijon aktivitetin në garanci të fortë e të shumfishtë policore. Për shkak të qarkullimit të shumave të mëdha të parave, Mitri ka krijuar dy baza, në Tiranë Itali dhe Dubai. Miliona euro produkt i aktivitetit kriminal janë investuar në luks dhe pasuri të paluajtshme në emër të tij dhe njerëzve të afërt, me qëllim për t'i shpëtuar veprimit të mundshëm të drejtësisë. Në këtë strukturë, Erdit Tepelena rezulton derivat i Enea Mitrit dhe një prej shtyllave kryesore të operacionit.

Për kamuflimin e mashtrimit, Tepelena dhe Mitri kanë përdorur disa lokacione në Tiranë dhe një rrjet kompanish në emër të prestanomëve. Formula është e njohur nga dosjet e Milton Group: shoqëri me fasadë mjekësore, një administrator besnik dhe një ushtri operatorësh që në italisht, gjermanisht e spanjisht u shesin qytetarëve investime false.

Kompania kryesore është E&E Holding, me NIPT M11622028O, e themeluar më 18 janar 2022. Administrator është Erdit Tepelena. Ortakë janë Erdit Tepelena me 50% të kuotave dhe Enea Mitri me 50%. Në objekt të shoqërisë përmenden shërbime, ndihmë dhe konsulencë mjekësore nëpërmjet komunikimit dhe bashkëbisedimit me video dhe audio me klientët dhe pacientët për nevojat e tyre të ndryshme lidhur me kujdesin shëndetësor, ofrim trajnimesh profesionale mjekësore përmes platformave online dhe shitje artikujsh e shërbimesh mjekësore përmes kanaleve të ndryshme të shitjes. Në të njëjtin objekt shtohet pa zhurmë operimi i call center-ave, brenda dhe jashtë vendit.

Kompania simotër është DigiDoc Doctors Albania, me NIPT M21407036R, e themeluar më 2 shkurt 2022, me seli në Rrugën Bajram Curri, Njësia Pasurie 5/247-B2, Tiranë. Administratore është M. Sulmina, ish-mjeke e proceduar nga SPAK. Zotërues 100% i kuotave është Stiljano Tushi, i njohur me alias Jovan Prifti. Objekti i shoqërisë flet për ofrim konsulence mjekësore nëpërmjet bashkëbisedimit me video dhe telefon me klientët, operim call center-ash, ofrim trajnimesh mjekësore përmes internetit, shitje artikujsh mjekësorë dhe artikujsh të tjerë të ndihmës shëndetësore përmes kanaleve të ndryshme të shitjes, ofrim specialitetesh mjekësore për vizita dhe konsulta, si dhe realizim anketash e studimesh me fokus mjekësinë dhe shërbimet e telemjekësisë.

Erdit Tepelena, krahu i djathtë i Enea Mitrit në perandorinë e

Kjo është formula klasike e maskimit të veprimtarisë së call center-ave mashtrues në Shqipëri. Fasada është telemjekësi, një fushë legjitime dhe e panjohur mirë nga autoritetet tatimore, me terminologji të sofistikuar, ndërsa aktiviteti real është thirrja outbound ndërkombëtare. Shitja e "paketave të shërbimeve mjekësore online" është mjaftueshëm e paqartë sa për të mbuluar çdo skemë, nga investimet në trajtime të dyshimta me qeliza staminale deri te paketat e kujdesit shëndetësor që në fakt janë skema mashtrimi të mirëfillta. Fakti që në objekt përfshihet edhe rekrutimi dhe trajnimi profesional është një element tregues: operatorët rekrutohen masivisht, trajnohen me skripte shitjesh në disa gjuhë dhe rrotullohen shpejt për të shmangur gjurmimin.

Por ajo që e bën rastin e Erdit Tepelenës edhe më të rëndë, është fakti se krahët e tij të ngrohta vijnë nga pozicioni i një familjari në drejtësi. Një garanci e heshtur që e mban këtë rrjet të paprekur, teksa të gjithë call center-at e tjerë po goditen.

Grupi përbëhet nga emra që autoritetet i njohin prej kohësh. Enea Mitri, Erdit Tepelena, M. Karaj vijojnë të mbeten një sfidë për SPAK-un, strukturë e cila po godet kartelat e call center-ave vetëm me nxitje nga jashtë. Ndërkohë miliona euro vijojnë të qarkullojnë mes Tiranës dhe Dubait, të investuara në luks dhe pasuri të paluajtshme në emër të tyre dhe njerëzve të afërt.

Bën përshtypje fakti që në operacionet e muajit të fundit, asnjë prej këtyre kompanive nuk është prekur, asnjë prej ortakëve nuk është shoqëruar dhe asnjë adresë nuk është kontrolluar. Informacionet për këtë rrjet kanë ardhur nga vendet partnere, me qytetarë evropianë të mashtruar dhe dosje të hapura. Por në Shqipëri, Enea Mitri, Erdit Tepelena dhe grupi i tyre i strukturuar kriminal vijojnë të patrazuar. SPAK-u pret nxitjen e radhës nga jashtë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje