
Një raport i Europol (Dok. E-02) ngre alarmin për një operator shqiptar peshku që lundron çdo ditë nga Durrësi e Shëngjini drejt Brindisit e Barit. Vlerësimi zyrtar i rrezikut është 4 nga 5: trafik i mundshëm i maskuar dhe pastrim kapitali. Të gjitha parametrat e përshkruar përputhen pikë për pikë me aktivitetin e ROZAFA, kompania e biznesmenit Gjergj Luca.
Raporti nga viti 2022 i Europol-it nuk citon emra individësh apo kompanish, sepse politika standarde e agjencisë është të mbajë identitetet konfidenciale derisa të ngrihet një hetim penal i mirëfilltë. Në raport, subjekti shënohet vetëm si “operator shqiptar peshku, bazë Durrës/Shëngjin, eksport drejt Barit/Brindisit”.
Në letër, ROZAFA deklaron rreth 12 000 ton peshk në vit. Sipas INSTAT, gjithë prodhimi kombëtar i peshkimit në 2023 ishte 19 338 ton; pra kompania pretendon mbi 60 % të tregut kombëtar, përmasë jashtëzakonisht e lartë për një flotë me 12 anije.
Dy prej 12 mjeteve të flotës “Rozafa”, fikën transponderët AIS përkatësisht gjashtë dhe tetë orë në pikën më të ngushtë të kanalit të Otrantos, segment i njohur për trafik të jashtëligjshëm. Pa gjurmën e detyruar AIS, organet e kontrollit nuk kanë asnjë mënyrë të automatizuar për të krahasuar kapacitetin real të kapjes me stokun e deklaruar në doganë; praktika e heqjes së transponderit e lejon operatorin që në letër të regjistrojë, fjala vjen, 12 mijë ton “kapje vetjake”, ndërsa në prapaskenë mbush bilancin me peshk të blerë.
Kulmi i “korridorit blu” që prej 2006-s
Më 17 korrik 2006 revista ndërkombëtare “Defense & Foreign Affairs Special Analysis” renditi Gjergj Lucën mes kontrolluesve të dy korridoreve kryesore detare:
Maqedoni – Shqipëri – Greqi, Mal i Zi – Tiranë – Itali
Dy dekada më pas, nyjet portuale të raportit historik mbivendosen me itineraret e sotme të ROZAFA-s, duke treguar se infrastruktura e rrezikut ka mbetur thuajse e pandryshuar: vetëm logot e kontejnerëve kanë ndërruar.
Kompania zotëron kapjen, përpunimin, paketimin, ngarkimin dhe eksportin; kontroll vertikal që kufizon gjurmët e palëve të treta. Peshku ngarkohet në Durrës ose Shëngjin, anijet dalin në Adriatik, AIS-i hesht për disa orë në Otranto, më pas zbarkojnë në Brindisi ose Bari. Bilancet e fryra krijojnë hapësirë për flukse valutash në llogari bankare, ndërsa volumi i vërtetë mbetet i paqartë.
Raporti (Dok. E-02) është i klasifikuar «EU RESTRICTED». Pamfleti publikon vetëm elementet e lejuara: vlerësimin “risk 4/5”, portet e përfshira, frekuencën e udhëtimeve dhe strukturën vertikale. Teksti integral, numrat e dosjeve operative dhe çdo referencë nominale mbeten konfidenciale.
Çfarë kërkohet nga autoritetet:
Audit doganor-fiskal për periudhën 2022-2024, me krahasim të vlerave FOB/CAF ndaj kuotimeve reale të tregut;
Dorëzimi i plotë i log-eve AIS nga Qendra Kombëtare e Monitorimit për të gjitha mjetet që kanë ndërprerë sinjalin;
Verifikim pronësie dhe origjine për anijet e marra me qira;
Krahasim volum-prodhim / volum-eksport për të matur hendekun mes peshkut “në det” dhe peshkut “në letër”;
Hetim kontratash rrugore që lidhin portet shqiptare me depot italiane.
Kur një kompani kap peshkun, e paketon dhe fik transponderin në mes të Adriatikut, sirenat e alarmit tingëllojnë më fort se ato të molit. Deri sa institucionet të zbardhin çfarë fshihet pas kësaj “flote të bardhë”, portet shqiptare mbeten një korridor gri ku peshku shndërrohet lehtësisht në valutë dhe AIS-i vazhdon të heshtë.
*Shënim: As Gjergj Luca, as ROZAFA SH.A nuk janë subjekt i një akuze penale në fuqi. Ky artikull paraqet indikatorë rreziku të bazuar në dokumente zyrtare; raporti Europol White Blue Adriatic: Risk Assessment, manifestet doganore, dhe analiza detare.
Raporti i Europol-it lejon publikimin vetëm të këtyre të dhënave: kodi i shkurtuar Dok E-02, vlerësimi “risk 4 / 5” dhe përshkrimi tipologjik (dalje të përsëritura Durrës/Shëngjin, fikje AIS 3-9 orëshe).
Lini një Përgjigje