
Qeveria e Edi Ramës po tenton të riaktivizojë kolegjin universitar italian “WISDOM”, i mbyllur më parë për shitje diplomash false, duke përdorur marifetin e ndryshimit të emrit dhe pronarëve formalë. Ministrja Ogerta Manastirliu ka miratuar fshehtazi aplikimin e pronarëve të mëparshëm, duke sfiduar hapur ligjin dhe vendimin e qeverisë për mbylljen e këtij institucioni arsimor…
Rasti i kolegjit universitar italian “WISDOM” dëshmon qartë se qeveria Rama po nxjerr nga dera krimin e diplomave false, vetëm për ta futur sërish nga dritarja, duke përdorur mashtrimin klasik të ndërrimit të emrit dhe pronarëve formalë.
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 588, datë 25 shtator 2024, kolegjit universitar “WISDOM” iu ndërpre aktiviteti dhe iu hoq licenca përfundimisht, pasi u konstatua shitja masive e diplomave false. Vendimi u propozua nga Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, dhe u konsiderua hap pozitiv për luftën ndaj korrupsionit në arsimin e lartë.
Por një denoncim i bërë në SPAK zbulon se ministrja Manastirliu ka nisur paralelisht pazare të fshehta me pronarët italianë të “WISDOM”, bashkëshortët Savino Cianci dhe Lucia Catalano, për të riaktivizuar universitetin nën një emër dhe format tjetër, por me të njëjtët pronarë realë dhe interesa kriminale të pandryshuara.
Në datën 14 prill 2025, Manastirliu ka miratuar në mënyrë të heshtur aplikimin e pronarëve të mëparshëm për hapjen e një kolegji të ri universitar. Sipas ligjit, emri i ri i institucionit do të zbulohet vetëm pasi të dorëzohen dokumentet në QKB, duke u bërë kështu një manovër perfekte për të maskuar identitetin real të institucionit të mbyllur për krime akademike.
Mashtrimi i qeverisë dhe ministrisë del zbuluar edhe nga fakti se kolegji “WISDOM” vazhdon ende të jetë aktiv në regjistrin e QKB-së me tre emra të ndryshëm: "Kolegji Italian i Tiranës”, "Kolegji Universitar Italian i Tiranës “Arlind” dhe “WISDOM”, edhe pse vendimi i qeverisë parashikon ç’regjistrimin e menjëhershëm pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Në kundërshtim të plotë me ligjin, ministrja Manastirliu nuk ka ndërprerë as programet akademike dhe as nuk ka përmbyllur procedurat e mbylljes administrative të institucionit, duke e mbajtur të hapur në mënyrë të fshehtë për interesa të qarta korruptive.
Sipas burimeve, Manastirliu po përgatitet që së shpejti të çojë në Këshillin e Ministrave propozimin për rihapjen e këtij universiteti, i cili faktikisht do të jetë i njëjti biznes diplomash false që lulëzoi më parë, por tashmë me emër të ri dhe fytyrë tjetër formale.
Ky skandal përsërit atë të vitit 2014, kur po kolegjit universitar “WISDOM” iu hoq licenca për diplomë-falsifikime dhe fiktivitet akademik, por më pas Edi Rama dhe ish-ministrja Lindita Nikolla ia rikthyen atë, duke i akredituar 4 degë e 13 programe studimi, pavarësisht shkeljeve të rënda ligjore. /Pamfleti
Lini një Përgjigje