TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia16 Qershor 2026, 13:28

Heqja e licencës për 'Myrto Security': Kompania vazhdon të ruajë institucionet shtetërore e të tregtojë armë

Shkruar nga Pamfleti
Heqja e licencës për 'Myrto Security': Kompania vazhdon
Foto Ilustruese /

Më 1 qershor, Policia e Shtetit i hoqi licencën policisë private për shkak të dhunës në Zvërnec – por 2 javë më vonë, 'Myrto Security' vijon të kryejë shërbime sigurie fizike në subjekte private e institucione shtetërore, si dhe tregtinë e armëve e municioneve. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk ka publikuar vendimin, ndërsa QKB e regjistron aktivin me licencat 'I.3.A' dhe 'I.3.B' ende në fuqi...

Pas dhunës fizike në Zvërnec, Policia e Shtetit i hoqi licencën policisë private "Myrto Security", që sipas ligjit nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të shërbimeve të mbikëqyrjes, sigurisë fizike, ruajtjes e transportit të vlerave monetare dhe tregtimit të pajisjeve ushtarake.

Megjithëse më 1 qershor 2026 i është hequr licenca, kompania "Myrto Security" po vazhdon aktivitetin për shërbime sigurie fizike, jo vetëm në subjekte private, por dhe në institucione e shërbime shtetërore.

Kur shteti merr dhe njofton sanksion administrativ për heqje licence ndaj një subjekti privat, lejimi për të kryer aktivitetin krijon dyshime se subjekti privat shpërfill shtetin, ose njoftimi për heqjen e licencës është mashtrim publik.

Heqja e licencës për 'Myrto Security': Kompania vazhdon

Këtë perceptim dhe dyshim e krijon fakti që policia private "Myrto Security", gjatë dy javëve pas heqjes së licencës, nuk e ka ndërprerë aktivitetin në asnjë prej subjekteve private e institucioneve shtetërore dhe as biznesin e armatimeve.

Përveç shërbimit të sigurisë fizike, Policia e Shtetit po i lejon policisë private "Myrto Security" të importojë dhe tregtojë armë, municione e pajisje ushtarake, që janë pjesë përbërëse e aktivitetit të përcaktuar në objektin e licencës.

Pronari Hysni Myrtaj mund të vazhdojë aktivitetin e import, eksport, transport dhe tregtim të produkteve ushqimore, mallrave industriale, bar-kafe, aktiviteteve kulturore, sportive, fetare e politike, siç e ka deklaruar në lejen që i ka dhënë Qendra Kombëtare e Biznesit.

Por nuk mund të kryejë aktivitet shërbimi policie private, import dhe tregti armësh, municionesh, pajisjesh ushtarake e aktivitete në poligone qitjeje, të përcaktuara në licencat e kategorive "I.3.A" dhe "I.3.B", sepse ato ia ka hequr Policia e Shtetit.

Kështu deklaroi policia zyrtarisht, por policia private "Myrto Security" vazhdon aktivitetin edhe pas heqjes së licencës, fakt që kërkon një përgjigje nga drejtuesit e Policisë së Shtetit:

·       I është hequr apo jo licenca kësaj policie private; dhe nëse po, përse lejohet të kryejë aktivitet edhe në institucione e ente shtetërore, tregti armësh, municionesh e pajisjesh ushtarake?

E bëjmë këtë pyetje, ngaqë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë një njoftim për heqjen e licencës, por nuk ka publikuar dokumentin e vendimit.

Madje në Ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, policia "Myrto Security" është aktive dhe ka në funksionim licencat e kategorisë "I.3.A" e "I.3.B" që i ka dhënë Policia e Shtetit./Pamfleti

myrto sycurity

1 Komente

  1. T
    Te fala nga Skrapari

    Ish prokurori i Metes Nasip, pronar i Myrto security, i blere ne merkaton e pranveres nga Klubi Rilindja, nuk ka marre karton te kuq…ishte sa per loje!

    Lini një Përgjigje