Është bashkëpunim me shkëmbim, specifikim e saktësim informacionesh reciproke, me qëllim që të bëhen goditje të përbashkëta me arrestime e konfiskime...
Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se ditën martë, në Tiranë ka ardhur një grup i përbashkët hetuesish nga Zyra e Anti- Mashtrimit Financiar e Austrisë; Departamenti i Hetimit të Krimit Financiar të Maltës; Departamenti i Informacionit e Hetimit Fiskal të Holandës dhe Departamenti i Anti-Krimit Ekonomik i Policisë së Qipros.
Ky grup hetuesish nga 4 shtete, i formatuar si ekip pune i BE dhe që drejtohet nga një ekspert i Zyrës së Drejtësisë Penale të Ballkanit Perëndimor (WBCJ) pranë EUROJUST, ka ardhur në Shqipëri për mision bashkëpunimi të mbyllur 10 ditor me BKH e SPAK.
Nuk është rastësi e as vizitë rutinë, që ky ekip hetuesish, erdhi për bashkëpunim, 1 ditë pasi Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, foli me mesazhe ultimative në konferencën për luftën kundër korrupsionit, fshehjes e pastrimit të parave, që u zhvillua ditën e hënë në Tiranë.
Ardhja e hetuesve nga Austria, Holanda, Malta e Qipro, është unifikim i linjës së bashkëpunimit, që SPAK ka nisur dhe me Agjencinë e Anti-krimit të Britanisë së Madhe-NCA, konkretizuar më 22 shkurt 2024, me marrëveshjen që nënshkruan Altin Dumani e Graeme Biggar.
Tema kryesore e bashkëpunimit dhe informacionet, që ata do shkëmbejnë me homologët e SPAK e BKH gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, do jetë fshehja e parave të korrupsionit në Austri, Holandë, Maltë e Qipro, transferuar te kompani private, individë, depozita bankare dhe blerje pasurish të patundshme e të futura në veprimtari trafiqesh në këto shtete.
Është folur shpesh me prova e emra konkret, për pasuri dhe miliona Euro të transferuara, të fshehura e investuara jashtë vendit nga politikanë e pushtetarë të Shqipërisë, për të cilët agjencitë partnere kanë mbledhur informacion e prova dhe ia sjellin SPAK-ut, për të bërë goditjet e përbashkëta me arrestime e konfiskime.
Përveç llogarive bankare, shumë politikanë e zyrtarë të Shqipërisë, kanë miliona Euro, pasuri biznese në Holandë, Austri, Maltë e Qipro, të regjistruara në emër të tyre, bashkëshortëve, fëmijëve e familjarëve të tjerë ortakë me të cilët kanë krijuar firma fiktive në Shqipëri.
Ardhja e hetuesve të këtyre 4 shteteve dhe qëndrimi i gjatë në zyrat e SPAK, krijon bindje se kanë sjellë informacione konkrete për vlera monetare e pasuri të fshehura nga zyrtarë shqiptarë në ato shtete, por gjithashtu marrin, specifikojnë e saktësojnë informacionet.
Kjo bindje, krijohet nga fakti që grupi i hetuesve të huaj, shoqërohet dhe drejtohet nga Zyra e Drejtësisë Penale të Ballkanit Perëndimor, (WBCJ), që merret dhe me gjurmimin e korrupsionit shtetëror në Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni, Serbi e Bosnje dhe i raporton në strukturat e drejtësisë të këtyre vendeve.
Ata kanë sjellë të dhëna e prova, për miliona Euro dhe pasuri të shumta të paluajtshme e biznese, që kanë në Holandë, Austri, Maltë e Qipro, bosët e landfilleve Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja dhe politikanë e zyrtarë të lartë qendrorë e drejtues të pushtetit lokal./Pamfleti
Lini një Përgjigje