TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia23 Qershor 2025, 11:40

Ironia e zezë e integrimit shqiptar në BE: Kapitujt e Drejtësisë i udhëheq vëllai i një trafikanti droge dhe ish- hetuesi i diktaturës

Shkruar nga Pamfleti

 

Ironia e zezë e integrimit shqiptar në BE: Kapitujt e
Vëllezrit Geron dhe Fatmir Xhafaj /

Edi Rama i ka dorëzuar reformën në drejtësi dhe kapitujt e BE-së një ish-hetuesi të komunizmit, ndërkohë që vëllai i tij vuan dënimin për trafik droge në Itali. Shqipëria, në versionin më absurd të vetvetes...

Është çmenduri edhe ta mendosh, që në Shqipërinë e vitit 2025, një vend me kapituj të hapur për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe me një “reformë drejtësie” të mbështetur nga Perëndimi, procesin e drejtësisë e drejton vëllai i një krye-trafikanti ndërkombëtar të dënuar për drogë.

Në 33 vite pluralizëm, Fatmir Xhafaj është i vetmi politikan që ka mbajtur njëkohësisht postin e Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Brendshëm, pikërisht në kohën kur vëllai i tij, Agron Xhafaj, ishte në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, si drejtues i një bande të strukturuar kriminale dhe i dënuar me burg për trafik ndërkombëtar droge.

Ndërkohë që Fatmir Xhafaj predikonte reformën, zbatonte ligjin dhe pozonte si flamurtar i shtetit ligjor, vëllai i tij qarkullonte lirshëm në Vlorë, bënte biznes, takonte njerëz dhe nuk prekej nga askush. Sepse urdhri ndërkombëtar i arrestit nuk zbatohej, për sa kohë që ministri e kishte emrin Xhafaj, dhe për sa kohë që drejtuesit e tjerë të drejtësisë ishin të gatshëm të mbyllnin sytë me miratim politik.

Absurdi nuk përfundon këtu. Në kulmin e kërkimit ndërkombëtar të Agron Xhafajt, Edi Rama e emëroi Fatmir Xhafajn drejtues të reformës në Drejtësi, në kohën kur ngriheshin institucionet e reja: vettingu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLGJ-ja, SPAK-u dhe BKH-ja. Dhe jo vetëm kaq: për disa vite radhazi, Xhafaj u emërua nga kryeministri, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, e më pas udhëheqës i 8 nismave ligjore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që vëllai i tij ishte në burg në Itali për trafik droge.

Kulmi i ironisë politike arriti më 30 maj 2024, kur Edi Rama e caktoi Fatmir Xhafajn kryetar të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për antikorrupsionin, luftën kundër krimit, reformën në drejtësi dhe funksionimin e SPAK, BKH-së e të gjitha institucioneve të drejtësisë. Një vendim që në çdo vend europian do të përbënte skandal politik dhe moral, por që në Shqipëri kaloi si "vlerësim për integritet".

Por absurditeti nuk ndalet. Kryeministri, që prej kohësh ka kthyer politikën në një estradë me skenarë të errët, e ka emëruar Xhafajn edhe “orientues” të grupit negociator të qeverisë me BE, për kapitujt 23 dhe 24, që prekin drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Me pak fjalë, personi që ka vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge është ngarkuar të përfaqësojë Shqipërinë në kapitujt e drejtësisë europiane.

Nëse Xhafaj është "i djegur" për drejtësinë prej vëllait trafikant, është edhe më i djegur për të drejtat e njeriut, sepse ka qenë hetues gjatë diktaturës komuniste, i njohur për ashpërsinë ndaj të arrestuarve politikë, në një periudhë kur “e drejta” ishte një nocion që shkruhej vetëm në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Por Babloku, siç e quan vetë rrethi i tij i ngushtë, e paska aq shumë qejf Fatmir Xhafajn, sa e ka bërë edhe “profesor” të etikës dhe drejtësisë për Akademinë e Deputetëve të rinj të Partisë Socialiste. Një ironi tjetër që vetëm pushteti aktual mund ta kthejë në realitet: të mësosh moralin ligjor nga një ish-hetues i regjimit dhe vëllai i një trafikanti ndërkombëtar.

Shqipëria e vitit 2025, me kapituj të hapur për integrimin europian, mbetet një vend ku reforma në drejtësi predikohet nga njerëz që në çdo vend tjetër do të ishin në konflikt të hapur interesi ose të padëshiruar institucionalisht. Por në republikën e Bablokut, kjo është “përvojë”. Dhe përvojës i hapet dera, për të mbikëqyrur drejtësinë që edhe mund të mos vijë kurrë./Pamfleti

geron xhafaj fatmir xhafaj ironia e zezë e integrimit shqipëria be vëllai i trafikantit

Lini një Përgjigje