Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025 nxjerr në pah problematika të rënda në funksionimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC), duke evidentuar shkelje procedurale, mungesë transparence dhe menaxhim joefektiv të fondeve publike.
Një nga institucionet që u promovua si instrument kyç për zhvillimin e pronave shtetërore dhe tërheqjen e investimeve strategjike rezulton të ketë funksionuar për vite me mangësi të theksuara administrative dhe financiare.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas auditimit të ushtruar për periudhën 2019–2024, ka dhënë opinion të kualifikuar për Korporatën e Investimeve Shqiptare, duke konstatuar devijime materiale nga kuadri ligjor dhe rregullator.
Në raportin e vitit 2025 të dorëzur në Kuvend, KLSH merr si shembull abzuimi institucionin e drjtuar nga Elira Kokona. Sipas KLSH, AIC ka operuar pa një kuadër të plotë rregullator për identifikimin, përzgjedhjen dhe menaxhimin e projekteve. Auditimi evidenton mungesën e manualeve, metodologjive dhe udhëzuesve standardë për mënyrën se si duhet të përzgjidheshin projektet apo të administroheshin pronat shtetërore.

KLSH vëren se projekt-propozimet e realizuara gjatë viteve 2022–2024 janë hartuar pa analiza të detajuara mbi riskun, fizibilitetin ekonomik dhe përfitueshmërinë financiare. Në shumë raste mungonin studimet paraprake dhe analizat mbi ndikimin ekonomik apo alternativat e zhvillimit, duke bërë që investimet të niseshin pa një bazë të qartë teknike dhe financiare.
Raporti evidenton gjithashtu ndërprerjen e disa projekteve prioritare, përfshirë ato në sektorin e energjisë dhe zhvillimit territorial, edhe pse për to ishin paguar ekspertë të jashtëm për studime para-fizibiliteti. Sipas audituesve, fondet publike janë përdorur për kontraktime që nuk kanë prodhuar rezultat konkret dhe projektet nuk kanë avancuar në fazat e mëtejshme të zbatimit.
Nga auditimi janë konstatuar efekte negative në administrimin e fondeve publike në vlerën rreth 3.9 milionë lekë. KLSH argumenton se këto pasoja lidhen me kontraktimin e ekspertëve të jashtëm pa plan pune të miratuar dhe pa përmbushur kushtet paraprake për zhvillimin e projekteve.
Një tjetër problematikë e rëndë lidhet me menaxhimin financiar të institucionit. Auditimi thekson se AIC nuk ka administruar në mënyrë efektive fondet monetare të lira, pasi ato nuk janë investuar në instrumente financiare që mund të gjeneronin të ardhura për institucionin dhe buxhetin e shtetit.
Probleme serioze janë konstatuar edhe në drejtimin institucional. KLSH ka evidentuar se Këshilli Mbikëqyrës i Korporatës ka funksionuar për vite me strukturë të paplotë, madje në disa periudha edhe pa kryetar. Sipas raportit, mungonte dokumentacioni i plotë që provonte përmbushjen e kritereve ligjore për anëtarët e këtij organi.
Po ashtu, audituesit kanë ngritur shqetësime për mungesën e kritereve të qarta mbi shpërblimin e anëtarëve të pavarur jo ndërkombëtarë të Këshillit Mbikëqyrës.
Mangësi janë evidentuar edhe në procedurat e rekrutimit të stafit. Në disa raste nuk ekzistonte dokumentacion që të provonte procedurat e ndjekura për punësim, ndërsa në raste të tjera kishte mangësi në dosjet shoqëruese të aplikantëve.
Raporti i KLSH-së përmend gjithashtu vonesa në dorëzimin e deklaratave dhe vetëvlerësimeve të kontrollit të brendshëm, mungesë strategjish për menaxhimin e riskut dhe standardizim të pamjaftueshëm të proceseve kryesore të punës.
Gjetjet e auditimit hedhin dyshime të forta mbi eficiencën dhe funksionalitetin real të Korporatës së Investimeve Shqiptare, një institucion që prej krijimit është prezantuar si mekanizëm modern për menaxhimin strategjik të aseteve shtetërore dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Pjesë nga raporti i KLSH
Nga auditimi i përputhshmërisë i kryer për periudhën e veprimtarisë nga 17.10.2019 deri më 30.06.2024, KLSH ka konstatuar se veprimtaria e subjektit të audituar ka devijime nga kuadri ligjor, nënligjor dhe rregullator përkatëstë cilat janë materiale por jo të përhapura, për të cilat është dhënë opinion i kualifikuar.
Auditimi evidentoi se planifikimi buxhetor ishte kryer pa argumentim të detajuar dhe u identifikuan mospërputhje ndërmjet parashikimeve dhe realizimeve, duke ndikuar negativisht në performancën ekonomiko-financiare të shoqërisë.
Auditimi konstatoi mungesën e një kuadri të plotë rregullator për identifikimin, përzgjedhjen, miratimin dhe menaxhimin e projekt-propozimeve, përfshirë një metodologji të unifikuar dhe të standardizuar për seleksionimin e projekt-ideve, menaxhimin e fazave të ciklit të projekteve, administrimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore, si dhe procedurave konkrete të operimit, duke rritur riskun në menaxhimin strategjik dhe realizimin e objektivave të Korporatës. Deri në fund të periudhës së audituar, Korporata e Investimeve Shqiptare SHA nuk kishte implementuar manuale, udhëzues apo metodologji të standardizuara për përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes, fazave të ciklit të projektit dhe hapave paraprakë përpara shpalljes së çdo projekt-propozimi, përfshirë analizat e para-fizibilitetit/fizibiliteti.
Projekt-propozimet e hartuara gjatë viteve 2022–2024 ishin realizuar pa respektuar procedurat e përcaktuara dhe pa analizë të detajuar mbi risqet, objektivat, përfitueshmërinë, vlerën e shtuar të parasë dhe rentabilitetin e investimit, duke mos mundësuar vlerësimin e impaktit ekonomik, alternativave të zhvillimit dhe përfitimeve të mundshme.
Po ashtu, në kuadër të zhvillimit të pronave shtetërore u konstatuan mungesa të dokumentacionit dhe analizave mbi përfitueshmërinë e investimeve, krahasimisht me zhvillimin e tyre nga institucionet publike me financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Auditimi evidentoi ndërprerje në vijimësinë e projekt-propozimeve të mëparshme, përfshirë ato në sektorin e energjisë dhe zhvillimit të zonave prioritare, pavarësisht se për këto projekte ishin kryer shpenzime për kontraktimin e ekspertëve të jashtëm për studime të para-fizibilitetit.
Auditimi i sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit evidentoi vonesa në dorëzimin e deklaratave dhe vetëvlerësimeve, mungesë manualesh, strategji të menaxhimit të riskut dhe dokumentacionit të përditësuar,si dhe standardizim të pamjaftueshëm të proceseve kryesore të punës. Gjithashtu, nuk disponohej dokumentacion i plotë që të vërtetonte përmbushjen e kritereve ligjore për përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Mbikëqyrës, i cili kishte funksionuar me strukturë të paplotë për periudhën 2020–2023, përfshirë mungesën e Kryetarit, si dhe mungesa e përcaktimeve të qarta mbi kriteret e shpërblimit për anëtarët e pavarur jo ndërkombëtarë.
Nga verifikimi i procedurave të rekrutimit rezultoi se për disa raste nuk disponohej dokumentacion që të vërtetonte procedurat e ndjekura për punësimin, ndërsa për disa të tjerë, për të cilët ishin ndjekur procedura standarde, u konstatuan mangësi në dokumentacionin shoqërues.
Nga auditimi u konstatuan efekte negative në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike, në drejtim të ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit, në vlerën totale prej 3,972 mijë lekë, si rezultat i kontraktimit të ekspertëve të jashtëm për hartimin e projekt-propozimeve pa një plan pune të miratuar dhe pa përmbushjen e kushteve paraprake për zhvillimin e projekteve, të cilat nuk kanë vijuar më tej në fazat e tjera të zbatimit, si dhe mosmenaxhimit efektiv të fondeve monetare të lira të institucionit, të cilat nuk janë investuar në instrumente financiare për gjenerimin e të ardhurave./Pamfleti
Do ishte mire qe raportet e KLSH por dhe te tjera te ngjashme ti dergohen Melonit, Makronit, Toni Blerit, Trampit, atij Antonios dhe Marta Kosit e nonje tjeter , qe ta dine publikisht se ke po mbeshtesin ne Shqiperi dhe cfare demesh po i provokojne popullit shqiptar!!!! Ta dine edhe si po i genjen Rama me ato fjalimet "akademike" dhe dhuratat apo trajtimet qe ju ben atyre apo njerzve te tyre kur i merr ne juge te Shqiperise!!!! Te dine dhe faktin qe ne gjithecka e sidomos luften dhe kontrollin ndaj drejtesise po e ben sebashku me opoziten e degraduar te Sali Berishes!!!!! Ta dine mire qe po vihet ne pikpyetje ekzistenca e Shqiperise si shtet i pavarur!!!! Ta dine qe njerzit do nxiten te largohen nga vendi dhe copa Shqiperie do vZhdojne te falen e copa te thera do kolonizohen me ca te pasur qe bashkepunojne me qeverine aktuale. Ka vetem varferim dhe largim! E qarte vetem nje gje: Kjo qeveri vetem per kete popull nuk punon e qeveris!
Kokona çakallja, di te kaleroje se eshte mbese e gjeneral PetritDumes.