TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia31 Maj 2025, 16:57

Kush janë 3 deputetët e PD në Tiranë që rrezikojnë prangat?

Shkruar nga Pamfleti

Kush janë 3 deputetët e PD në Tiranë që rrezikojnë

Paralajmërimi i Murrizit, kush janë emrat me letra të hapura?

Ish-deputeti Myslim Murrizi dhe një ndër kandidatët më të votuar të listës së Tiranës më 11 maj, ka trazuar politikën gjatë kësaj jave. Përmes rrjeteve sociale dhe në një dalje mediatike, Myslim Murrizi ka paralajmëruar se ai do të jetë deputet në Kuvendin e ri, pasi sipas tij, 2-3 deputetë të listës së Tiranës rrezikojnë të arrestohen.

Mund të ikin vetë ata të së mbyllurës, se nuk i tremb as unë e as Iliri (Alimehmeti). Se do hyjnë ca në burg, ja po e them tani. Dhe nuk i fus në burg unë, por do i fusë llumi i vet. Shumë informacion. A kam gënjyer ndonjëherë tani këto 10 vite? Mbaje si bast”, tha Murrizi pak ditë më parë.

Ndërsa dje ai replikoi ndaj të gjithë atyre që e kanë kritikuar për këtë deklaratë, duke paralajmëruar se brenda shtatorit njërit i vihen prangat.

Por cilët janë deputetët e PD në Tiranë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit dhe kush rrezikon prangat? Murrizi nuk ka thënë asnjë emër, por ka të dhëna publike për ta dhe mund të identifikohen lehtë.

Sipas të dhënave të KQZ, PD mori 13 mandate në Tiranë dhe deputetët e rinj janë: Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Tedi Blushi, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu, Edi Paloka, Erisa Xhixho, Mesila Doda, Klevis Balliu, Besart Xhaferi, Jorida Tabaku.

Nga të 13 emrat në fjalë, janë disa që kanë probleme me drejtësinë. Duke i marrë me radhë, Sali Berisha është në proces gjykimi për dosjen “Partizani” dhe po hetohet për “21 Janarin”. Por, duke qenë se për dosjen “Partizani” sapo nisi gjykimi, shanset janë që të zvarritet shumë dhe përjashtohet mundësia që Berisha të bëjë burg.

Por kemi 3 të tjerë që janë në telashe me drejtësinë. I katërti në listën e Tiranës është Belind Këlliçi. Ndaj tij ka nisur një hetim nga SPAK për falsifikim të diplomës dhe për fshehje pasurie. SPAK ka dyshime se Këlliçi ka mashtruar me diplomën e gjimnazit, si dhe nuk ka deklaruar në ILDKP të ardhurat e bashkëjetueses, gjë që ligji e detyron. Në fillim të vitit ai u mor në pyetje nga SPAK dhe po ashtu janë marrë në pyetje dhe persona të tjerë, përfshirë dhe drejtuesit e shkollës “Harry Fultz”.

Emër tjetër në këtë listë është Fatmir Mediu, i cili në fakt është ndër më të rrezikuarit të humbasë mandatin. Ai po gjykohet për shpërthimin në Gërdec dhe SPAK e akuzon atë për shpërdorim detyre në dy raste. Në gjykatë procesi ka vite që zvarritet, por duket se është drejt fundit, teksa ka pasur shumë dëshmi. Sinjalet janë se Mediu vështirë t’ia hedhë paq në këtë rast.

Emri i tretë është Flamur Noka. Një vit më parë, SPAK ka nisur një hetim pasuror për Nokën dhe familjen e tij. Mësohet se SPAK ka tërhequr të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga ILDKP, Kadastra dhe organet e tjera dhe po verifikohet gjithçka, si për Nokën, ashtu dhe për bashkëshorten e tij dhe të afërmit.

Po ashtu ndaj tij ka pasur dhe një padi për koncesionin e pasaportave kur ka qenë ministër i Brendshëm dhe mësohet se SPAK po heton dhe në këtë aspekt. Më 19 mars 2013, Flamur Noka, në atë kohë ministër i Brendshëm, firmosi ndryshimin dhe zgjatjen me 10 vite të kontratës koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me grupin që kontrollonte kompaninë Aleat. Ndryshimi i kontratës nga Noka ka disa elementë të dyshuar si korruptivë, që po hetohen nga SPAK-u.

Sa u përket emrave të tjerë, rezulton se janë të pastër dhe nuk ka asnjë hetim penal për ta. Për më tepër që shumica nuk kanë mbajtur poste. Pra, sinjalet janë se lista e Tiranës mund të ndryshojë, por atë e kanë në dorë SPAK dhe GJKKO. /Pamfleti

Lini një Përgjigje