
Emërimi i Indrit Dodës në Kontrollin e Burgjeve ngre pikëpyetje serioze për standardet e sigurisë...
Besfort Lamallari e nisi mandatin si Ministër i Drejtësisë me premtimin për pastrim të administratës nga të korruptuarit dhe të implikuarit me krimin, por brenda dy muajve realizoi vetëm një emërim: vendosjen e mikut të tij Indrit Doda në krye të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Emërimi bie ndesh me ligjin e dekriminalizimit, pasi Doda rezulton me lidhje të ngushta me ish-oficerin e Antiterrorit Igli Haxhiaj, të arrestuar për trafik ndërkombëtar droge dhe dekonspirim aksionesh policore. Lidhjet e tyre janë të njohura në Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe kanë dalë edhe në përgjimet SKY-ECC. Menjëherë pas emërimit, Doda ka nisur spastrime në strukturë, duke larguar specialistë korrektë dhe duke i zëvendësuar me persona të lidhur me të, ndërsa institucionet e kontrollit heshtin.
Ditën që filloi detyrën e Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari deklaroi si prioritet të menjëhershëm pastrimin e administratës nga të korruptuarit, të paaftët dhe të implikuarit në lidhje me krimin.
Por gjatë dy muajve në detyrë, përveç një zëvendësministri që i emëroi kryeministri Edi Rama, ministri Besfort Lamallari nuk ka bërë asnjë lëvizje në staf dhe administratë, por vetëm një qokë për mikun e tij, Indrit Doda.
Ministri Lamallari e emëroi Indrit Dodën në detyrën e Drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, sektor specifik i sigurisë, ku jo vetëm drejtuesi, por edhe specialistët duhet të kenë figurë të pastër dhe pa lidhje me subjekte të botës së krimit.
Por Indrit Doda, drejtori i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve që ka emëruar ministri Besfort Lamallari, ka disa “njolla” që bien ndesh me ligjin e dekriminalizimit; një prej tyre është lidhja e ngushtë me një ish-oficer policie, pjesë e një grupi të strukturuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, me bazë në Shqipëri dhe Itali, si dhe i përfshirë në dekonspirim informacionesh të policisë dhe SPAK-ut.
Shoku i ngushtë i drejtorit të Kontrollit të Burgjeve, Indrit Doda, është Igli Haxhiaj, ish-oficer i Antiterrorit, i arrestuar më 27 nëntor 2025 në mjediset e Akademisë së Policisë, nëpërmjet një aksioni të SPAK-ut, EUROPOL-it, EUROJUST-it dhe Prokurorisë Italiane, i vërtetuar nga bisedat në SKY-ECC si një nga krerët e trafikut të drogës dhe dekonspirues aksionesh.
Lidhja e ngushtë mes drejtorit Indrit Doda, që emëroi Lamallari në krye të Kontrollit të Burgjeve, dhe ish-oficerit trafikant droge të arrestuar, Igli Haxhiaj, dihet nga të gjithë në Policinë e Shtetit, ku kanë punuar së bashku, por edhe nga Ministria e Brendshme, ku Lamallari ka qenë 8 vite zëvendësministër dhe ata kanë qenë në të njëjtën strukturë.
Lidhja e tyre ka qenë kjo: ministri Besfort Lamallari, kur ishte zëvendësministër i Brendshëm, mbulonte çështjet e Antiterrorit; Indrit Doda ka qenë koordinator i Drejtorisë së Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa trafikanti Igli Haxhiaj ka qenë oficer i Antiterrorit.
Tani lidhja e tyre është kjo: Besfort Lamallari është Ministër i Drejtësisë; Indrit Dodën e ka emëruar Drejtor të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, ndërsa ish-vartësi dhe miku i ngushtë, oficeri Igli Haxhiaj, prej datës 27 nëntor 2025 ndodhet në burg për trafik droge dhe dekonspirim aksionesh policore.
Por lidhja e Indrit Dodës me ish-oficerin trafikant, Igli Haxhiaj, sipas informacioneve që ka “Pamfleti”, ka dalë edhe në përgjimet SKY-ECC, për shkëmbim informacionesh konfidenciale policore dhe hetimore.
Menjëherë pas emërimit në krye të Kontrollit të Burgjeve, Indrit Doda, me fuqinë që i jep miqësia me ministrin Lamallari, ka nisur presione dhe spastrime të specialistëve të aftë, efektivë korrektë dhe të ndershëm, duke i zëvendësuar me miq, shokë dhe “ustallarë” të punëve të pista./Pamfleti
Mos e tepro tani!! Doda nuk merret me ato që keni shkruar juve.