Kulla e Brrylit rikthen në qendër të vëmendjes Dhimitër Papën, emrin që ka shoqëruar disa nga projektet më të debatuara…
Dalin në dritë detaje të tjera nga “bomba urbane” në zonën e Brrylit.
“Pamfleti” denoncoi pak ditë më parë skandalin me një leje ndërtimi të dhënë në zonën e Brrylit, pranë Maternitetit të Ri, ku do të ngrihet një pallat 12 kate.
Përveçse do të ngrihet mes dy pallateve duke bllokuar dritaret e të dyja godinave, plani është të prishet kolektori kryesor i ujërave të zeza. Kjo ka alarmuar banorët, ndërkohë që edhe vetë Ujësjellës-Kanalizimet nuk e kanë miratuar zhvendosjen.
Por, sipas verifikimeve tona, në gjithë këtë aferë del një emër: Dhimitër Papa.
Në dokumentacionin e miratuar të kullës, Dhimitër Papa figuron si inxhinier konstruktor. Ky emër është i njohur për shumë dallavere.
Gjatë kohës së tërmetit, emri i tij doli disa herë, për shkak se kishte bërë vlerësime të gabuara të ndërtesave të dëmtuara. Në atë kohë ai, në rolin e ekspertit të IKMT-së, ka bërë shumë shkelje, sa madje u godit edhe nga SPAK. Ai u arrestua në vitin 2021 për falsifikim dokumentesh.
“Nga provat e deritanishme ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë ndërhyrë te punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë, në varësi të Bashkisë Tiranë. Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro, banesë që në fakt ishte prishur më parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së”, shprehej SPAK.
Po ashtu ai u denoncua në një emision investigativ për një aferë me një pallat në Rrugën e Dibrës. Edhe pse pallati nuk kishte dëme, banorëve u vjen një shkresë se pallati ishte shumë i dëmtuar dhe duhej të evakuoheshin. Në raport, inxhinierët e Institutit të Ndërtimit, Dhimitër Papa dhe Kristaq Kali, kishin bërë gabime në të dhëna, pasi koordinatat i referohen një pallati në Surrel dhe jo te rruga e Dibrës.
Por dallaveret nuk mbyllen me kaq. Dhimitër Papa është inxhinieri që fshihet edhe pas Durrës Marinës. Pas skandalit me fundosjen e 2 pallateve të ndërtuara, ai doli në media në cilësinë e inxhinierit konstruktor, ku pranonte skandalin. Është ai i cili pranoi se cilësia e betonit u zëvendësua me kërkesë nga Dubai.
Në intervistën e tensionuar për "Piranjat", konstruktori fillimisht kundërshtoi shifrat e publikuara për zhytjen e pallateve, duke mohuar uljen prej 28 centimetrash të raportuar nga IKMT, por pranoi se objektet kanë pësuar ulje deri në 18 centimetra. Papa ia atribuoi problemin hapjes së gropave përreth objekteve, duke deklaruar se largimi i ujit dhe rërës nga kantieret fqinje krijoi fenomenin e “sufosionit”, që sipas tij solli ulje më të madhe sesa ajo e parashikuar në projekt.

Dhe emri i tij del sërish, dhe këtë herë te ndërtesa në Brryl, ku sërish kemi të bëjmë me një skandal. Si ka mundësi që aty ku ndërtesat kanë probleme del gjithmonë emri i Dhimitër Papës? Si ka mundësi që një inxhinier i arrestuar për afera lejohet ende të ketë rol në ndërtimin e pallateve? Dhe pse të gjitha kompanitë që duan të anashkalojnë ligjin e marrin atë?
Pra, duket qartë se kemi të bëjmë me një aferë shumë të madhe. Kushdo që fshihet pas pallatit te Brryli ka gjetur ekspertin e duhur për afera. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë të prishet i gjithë sistemi i kanalizimeve për të ndërtuar një pallat, i cili, përveç kësaj, zapton hapësirën mes dy pallateve dhe, për më tepër, bllokon krahët e të dyja godinave ekzistuese. /Pamfleti
Kudo n Tiran kete emer shikojm. Edhe te Syri i Tiranes ky eshte me 7 kate pa leje dhe Myslym Murrizi tha qe ka ceduar 15cm.
Po ku eshte XPlan Jurgen Memisha eshte edhe Dhimitraqi. Si te Arlis projektet e tyre, objekte dhe kulla skandaloze. Nuk kane vizion, ato kopjojne me structura qe merr flake. Tepelenesi dhe Gjirokastriti te dy jane mashtruesa dhe lepirsa ne zyra, te shesin keto vetem te vjedhin.