TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia17 Tetor 2025, 11:24

Pakt batakçinjsh në SPAK/ Si u fal Ylli Pjetërnikaj në “Vetting”, në këmbim të 1 vote në KLP për Klodian Brahon

Shkruar nga Pamfleti
Pakt batakçinjsh në SPAK/ Si u fal Ylli Pjetërnikaj në
Klodian Braho dhe Altin Dumani /

Altin Dumani ndryshon kurs në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të SPAK: nga kërkesa për shkarkim, në mbrojtje të prokurorit Pjetërnikaj...

Një ndryshim 180 gradë në qëndrimin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, për përfaqësimin e ankimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) ndaj subjektit të rivlerësimit Ylli Pjetërnikaj, ka ngritur dyshime serioze për ndikime dhe marrëveshje të fshehta në prag të garës për kreun e ri të SPAK.

Bëhet fjalë për të njëjtën çështje të “Vetting”-ut, ku SPAK, në seancën e parë, kishte kërkuar shkarkimin e subjektit për mosjustifikim pasurie, ndërsa në seancën përfundimtare ndryshoi qëndrim duke kërkuar konfirmimin e tij në detyrë.

Ky kthim befasues ndodh në një moment delikat, kur pritet zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK dhe çdo votë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë mund të vendosë fituesin.

Burime nga prokuroria e posaçme bëjnë me dije se Altin Dumani ka shprehur hapur mbështetjen e tij për kandidatin Klodian Braho, ndërsa lobimet, pazaret dhe “shkëmbimet e ndereve” kanë hyrë në fazën e hapur të asaj që disa prokurorë e quajnë “klering institucional”.

Nga kërkesa për shkarkim, në kërkesë për konfirmim

Çështja ka në qendër prokurorin Ylli Pjetërnikaj, i cili ishte konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi ishte ankimuar nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin për mosjustifikim të pasurisë.

Në seancën e parë, vetë Altin Dumani përfaqësoi SPAK-un dhe kërkoi shkarkimin e Pjetërnikajt, duke i qëndruar pretendimeve të Komisionerit Publik.

Por në seancën e dytë, kur pritej që qëndrimi i SPAK të përsëritej, situata ndryshoi rrënjësisht. Dumani nuk u paraqit vetë, por dërgoi Klodian Brahon, kandidatin që ai mbështet për drejtimin e ri të SPAK-ut, për të përfaqësuar institucionin në KPA.

Braho, në përfundim të seancës, paraqiti qëndrimin e kundërt me atë të mëparshëm: “Drejtuesi i SPAK kërkon lënien në fuqi të vendimit të KPK”, deklaroi ai, duke kërkuar që Ylli Pjetërnikaj të konfirmohej në detyrë.

Ky ndryshim i papritur erdhi në të njëjtën periudhë kur prokurori Pjetërnikaj është përmendur si mik i ngushtë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Zeqir Hoda, vota e të cilit mund të jetë vendimtare në garën për kreun e ri të SPAK.

Dyshime për marrëveshje të heshtura

Burime nga KPA dhe SPAK pohojnë se “ndryshimi i kursit” nuk ka qenë institucional, por rezultat i një marrëveshjeje të heshtur për të siguruar mbështetjen e Hodës në favor të Klodian Brahos.

Në praktikë, kjo do të thotë se drejtuesi aktual i SPAK po përdor pozicionin e tij institucional për të ndikuar në proceset e rivlerësimit në këmbim të votave për kandidatin e preferuar të tij.

Trupi gjykues i KPA ka mbyllur shqyrtimin dhe pritet të shpallë vendimin përfundimtar sot, më 17 tetor, ora 12:00.

Çështja “Pjetërnikaj” pritet të kthehet në një test publik për integritetin e SPAK, që ndodhet sot në një udhëkryq kritik mes presioneve politike dhe lobeve të brendshme, ku çdo “klering” mund të kushtojë besueshmërinë e vetë drejtësisë së posaçme./Pamfleti

klodian braho altin dumani ylli pjeternikaj

Lini një Përgjigje