Politike 6 Dhjetor 2023, 10:58

Poshtë dinastia; përralla e gënjeshtërt që i mori frymën shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti

Poshtë dinastia; përralla e gënjeshtërt që i mori

E gjithë kjo zallamahi kërkon shumë para, shumë. E themi ne pse nuk kemi; se na rropi dinastia!

33 vjet më parë, kur në Kavajë u shfaq parrulla “Poshtë dinastia, rroftë Ramiz Alia!”, njerëzit donin të rrëzonin fuqinë që kishte në kupolën e shtetit dinastia e familjes së Enver Hoxhës.

E cila nëpërmjet Nexhmijes, ndikonte në vendimet e shtetit, aq sa marazin e tyre për ikjen e Enverit e mbushën me përmendore pafund, buste, portrete në çdo vend publik, emërtime institucionesh, ndërmarrjesh, sheshesh e shkollash në të gjithë vendin.

Dinastia ‘Hoxha’, si familja mbretërore për gati 50 vite ra më në fund, por si kërpudhat pas atij shiu të madh atomik të rrëzimit të sistemit, nisën të ngrihen dalëngadalë dinastitë e reja të njerëzve të fuqishëm të këtij vendi.

Që nëpërmjet kulteve të reja të individit dhe familjeve, imponuan të drejtën e tyre për të qenë gjithmonë në krye të punëve.

Shfaqja e Argita Malltezi Berishës në kuvendin e partisë së Sali Berishës, është vetëm një veprim taktik i plakut për të treguar se ai ka lënë pas një dinasti që do të merret me punët e tij, edhe kur ai të mos ketë fuqi, por edhe kur mos të jetë më në këtë jetë.

Nuk është vetëm Argita, vajza e babait, që ka ndikuar aq shumë në vendimet e tij, aq sa ka sjellë në drejtimin e vendit gjithë mjedisin që ka njohur, duke i bërë politikanë të Partisë Demokratike, ka ndikuar politikën për të marrë vendime që i leverdisnin studios së saj avokatore, por edhe ka rekomanduar gazetarë, shkrimtarë, jurist, njerëz të artit e kulturës.

Këtë e ka bërë edhe vëllai i Argitës, i cili si e motra është një njeri shumë influent gjatë qeverisjes së të atit e më vonë, duke suportuar një lob të fortë politik, mediatik, ekonomik e financiar, madje edhe më thellë që shkon deri tek përplasja e ligjit me shtetin.

Por nuk mjafton me kaq, pasi pjesë e mjedisit publik në këtë vend u bë edhe e preferuara e Shkëlzenit dikur, e sot gruaja, që është një pjesë e rëndësishme e showbizit shqiptar, që imponohet në emisionet më të rëndësishme të vendit.

Dhe nuk është vetëm dinastia e Berishajve që na u beftën këto vite, e sipas gjasave do t’i kemi një gozhdë të ngulur për vite e vite, siç tha edhe Gramoz Pashko i shkretë.

Kështu na erdhi dinastia e të ndjerit Azem Hajdari, ku i biri bënte zullume në rrugë e mbrohej se është i biri i të atit. Kurse e bija, edhe pse nuk dinte as të lexonte fjalimet në Parlament, na u soll nga amerikanët si një mundësi për ndryshim.

Dinasti, megjithatë të vogla, mundohen herë pas herë ish-drejtues të PD-së që pasi kanë dështuar me sukses po tentojnë të fusin fëmijët e tyre në podiumet e së djathtës, pasi kanë vënë shishen e qumështit në radhë.

Besnik Mustafaj, Aleksandër Meksi, por edhe të tjerë, tentuan të përfshijnë fëmijët e tyre në kupolën politike të Partisë Demokratike. E në bazë të lojës së klaneve që kanë pushtetin lëviznin për të siguruar vendet e pëllumbave për evlatët.

Po pse vetëm në PD është kjo punë e vetëm te Berisha? Aspak! Shikoni Partinë Socialiste. Një nga emrat që e drejtojnë këtë parti, është deputet Arben Pëllumbi. Burrë i qetë, zotni me thënë të drejtën, fiks si i ati-profesor Serveti, i cili ishte filozofi i socialistëve shqiptarë, përveçse nënkryetar.

Veç qetësisë, butësisë publike e të tjera të dhëna njerëzore, deputet Arbeni, nuk se ka ecur nga talenti i tij në politikë. Që duket nuk e ka, ndryshe nga babai. Por në Parlament hyri si djali i Servetit. Siç edhe kushërira e tij Olta Xhaçka, që çau rrjetën e fortë të kupolës së PS-së, si mbesa e profesorit.

Po këto janë ato të dukshmit, pasi ka mjaft fëmijë, nipa, mbesa, gra, baxhanakë e kunata që sot kanë vende pëllumbash në të gjithë kupolën e shtetit, vetëm se janë pjesë të dinastive.

Pastaj në politikë kemi edhe dinastinë “Meta”, Ilirin e Monikën, që i kanë marrë këtij vendi përveçse postet e larta më të rëndësishme që ka shteti shqiptar; edhe toka, troje, fabrika, uzina skrap, shto këtu edhe tenderët plotësues.

Dinastia e Ilir Metës, si edhe ajo e të tjerëve u kthye në një lob politik, ekonomik dhe kriminal e që si epiqendër ka këtë familje.

Njëlloj si dinastia e instaluar e Edi Ramës, pavarësisht se Babloku nuk pranon se është një familje me pushtet në vend. Influenca e krijuar nga e shoqja, vëllai i tij Olsi në qarqe politike e financiare, por edhe më gjerë, e kanë kthyer gjithsesi këtë rrjet në një lob që ka një ndikim piramidal mbi pushtetet dhe faktorët që burojnë pushtet në këtë vend. Pastaj 10 vjet në pushtet nuk kanë forcuar PS-në, por thjesht klanet që ai ka mbështetur sipas interesave dhe profiteve të ditës. E në ndeshjet e kombëtares, djali i vogël i kryeministrit feston me futbollistët tanë në ‘Air Albania’, si të ishte djali i mbretit.

Këto dinasti nuk janë të vetmet, pasi kemi dinastitë e oligarkëve, të cilët ndërsa bosi është biznesmen, gruaja është filantrope apo bamirëse dhe del nëpër televizione duke folur për modë apo probleme sociale. Fëmijët e tyre miliarderë shfaqen ose si influencirë dandy që i nxijnë jetën luksit dhe dolce vita-s, sa shijojnë deri në ekstrem festat e shfrenuara me VIP-at që janë njerëz që vetëm u bëjnë reklamë këtij xhinsi që nuk dihet se pse i lavdërojnë, ku nuk japin gjë as në shkencë, as në kulturë, as në sport apo politikë. E më e keqja, nuk të japin as një ‘gur për të çarë kokën’, por vetëm shpenzojnë pafund.

Pastaj kemi dinastinë gazetareske, ku televizionet e mediat kryesore në vend drejtohen nga klane familjare që nuk kanë dhënë asnjë ide apo risi në fuqizimin dhe hapjen e hapësirës mediatike. Por e mbyllin gjithnjë e më shumë, duke i kthyer televizionet në pallate për ‘hapësira me qira’. Ku konkurrojnë mes vetes jo vetëm motra e vëllezër po e kunata e kunetër. Kush bën emisionin më idiot se tjetri, veçse me një kusht, të jetë i mbushur me VIP-a.

E gjithë kjo zallamahi kërkon shumë para, shumë. E themi ne pse nuk kemi; se na rropi dinastia!/Pamfleti

argita malltezi sali berisha dinastia