Qeveria lejon import pa taksa doganore për miqtë dhe klientët e kryeministrit, duke hequr miliona euro të ardhura për shtetin dhe duke privilegjuar kompanitë strategjike të pasurive shtetërore...
Pa nisur ende mandatin e katërt, kryeministri Edi Rama ka vendosur t’u bëjë një favor tjetër financiar oligarkëve, miqve dhe klientëve të tij, të cilëve u ka dhuruar toka, pyje, plazhe, koncesione, licenca dhe leje ndërtimi.
Sipas burimeve konfidenciale brenda Ministrisë së Financave, duke nisur nga data 1 shtator 2025, investitorët strategjikë dhe përfituesit e pasurive me “Kontrata 1 Euro” do të kenë trarët e doganave të hapur për bizneset e tyre.
Me një urdhër të brendshëm të ministrit të Financave, Petrit Malaj, këto kompani do të importojnë makineri, pajisje, lëndë të para dhe materiale ndihmëse pa paguar taksa doganore. Përjashtimi përfshin edhe mallrat e paketës së akcizës, duke shkaktuar humbje milionëshe të ardhurash për buxhetin e shtetit.
Ky favor nuk është iniciativë e ministrit, por skemë direkte e kryeministrit Edi Rama, për të shmangur këto biznese nga detyrimet financiare. Çdo kompani me status “Investitor Strategjik” dhe çdo përfitues i pasurive me “Kontrata 1 Euro”, përfshirë Olta dhe Artan Gaçi, Ilir Trebicka, Gaz Demi, Sandër Sarapuli, Idajet Ismailaj, Gjergj Luca, Adnand Hako i sallameri “Hako” dhe Lul Morina, do të importojë makineri dhe lëndë të para pa detyrime doganore.
Doganat në pikat kufitare tokërore e detare janë urdhëruar të lejojnë çdo ngarkesë të këtyre investitorëve të futet në Shqipëri pa kufizim sasie. Sipas regjistrit të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe Agjencisë së Koncesioneve, janë 76 investitorë strategjikë dhe 245 përfitues të pasurive me “Kontrata 1 Euro” që do përfitojnë nga ky privilegj.
Përfitues do jenë edhe kompanitë e miqve të qeverisë, si Timak Defence, e Arjeta Pucës dhe izraelitit Ron Yeffet, që do kenë monopol në makinën e ushtrisë. Ky përjashtim i ri nga detyrimet doganore është vazhdim i privilegjeve 20-35 vjeçare nga detyrimet tatimore dhe taksat qendrore e lokale, duke kthyer shtetin në vegël të oligarkëve dhe klientëve politikë./Pamfleti
Lini një Përgjigje