TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia19 Gusht 2025, 10:33

Vlora në shitje, Edi Rama grabit qytetin për t’ia dhënë klientëve të tij

Shkruar nga Pamfleti
Vlora në shitje, Edi Rama grabit qytetin për t’ia
Edi Rama me Sinan Idrizin dhe Pallati i Sportit i Vlorës /

62 mijë metra tokë publike, pallati i sportit dhe stadiumi i qytetit shndërrohen në kullat e radhës për Sinan Idrizin...

Vlora, qyteti simbol i pavarësisë dhe rezistencës, sot është kthyer në laboratorin më cinik të grabitjes së pasurisë publike.

Pushteti i Edi Ramës është imponuar mbi qytetarinë, mbi të zgjedhurit vendorë dhe mbi çdo institucion lokal, duke i shndërruar në dekor të heshtur të planeve klienteliste të qeverisë.

Çdo vendim i rëndësishëm nuk merret nga qyteti, por shpallet si dekret nga Kryeministria, në funksion të interesave të tij dhe të klientëve që e ushqejnë me para dhe pushtet.

Ajo që po ndodh në Vlorë nuk është një projekt zhvillimi. Është epilogu i një politike grabitjeje që ka nisur prej kohësh. Korporata e Investimeve, një strukturë e ngritur për të kamufluar zhvatjen, është caktuar të menaxhojë 62 mijë metra katrorë tokë publike, duke përfshirë pallatin e sportit dhe stadiumin e qytetit. Kjo tokë, që i përket komunitetit, do të kthehet në një “zonë e lirë” për kulla 35-katëshe, një tjetër Manhattan i betonit në zemër të qytetit bregdetar.

Emri i Sinan Idrizit shfaqet si përfitues i drejtpërdrejtë i kësaj skeme. Atij do t’i jepet tokë publike, në këmbim të ndërtimit të një pallati të ri sporti. Një marrëveshje që do të ishte absurde edhe në një republikë bananesh.

Pallati i sportit i Vlorës nuk është thjesht një ndërtesë funksionale. Është pjesë e memories kolektive të qytetit. Në atë hapësirë janë zhvilluar ngjarje të mëdha sportive, kulturore e shoqërore. Është vendi ku janë rritur breza të tërë. Sot, ai cilësohet “i vjetër” vetëm që të justifikohet shkatërrimi. Në realitet, pallati është në gjendje të mirë dhe i përdorshëm. Por kujtesa dhe identiteti i qytetit nuk vlejnë asgjë për pushtetin që e sheh Vlorën si një shesh betoni dhe si një tabelë qiraje për oligarkët.

Vlora nuk po zhvillohet. Vlora po shitet. Çdo metër tokë publike është kthyer në monedhë për të paguar aleancat e Ramës me oligarkët. Në vend që qyteti të ndërtojë hapësira për komunitetin, po zhvishet nga çdo aset. Dhe kur një pushtet i imponohet qytetit jo për ta zhvilluar, por për ta grabitur, nuk kemi të bëjmë më me qeverisje. Kemi të bëjmë me plaçkitje të organizuar, të firmosur nga Kryeministri dhe të zbatuar nga klientët e tij./Pamfleti

vlora në shitje edi rama grabit qytetin

Lini një Përgjigje