Prokuroria e Vlorës, ka nisur hetim për neglizhencë të zyrtarëve, kur si shkak kryesor, duhet të hetojë vjedhjen e fondeve të kanalizimeve të qytetit e hidrovorit, nga drejtues të Bashkisë, Ujësjellës-Kanalizimeve, Bordit të Kullimit dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, në pazare e me letra false me pronarët e kompanive që kanë marrë tenderët...
Gjithë qyteti i Vlorës u përmbyt me 2 orë shi, sikur të mos kishte fare rrjet kanalizimi, evadimi e kullimi ujërash të ndotur, duke shkaktuar dëme të mëdha për shumë familje e biznese dhe miliona lekë kosto shtesë për pastrimin e qytetit nga mbetjet
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, tha se fajin për përmbytjen nuk e kishte Bashkia, as Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve e Bordi i Kullimit, por reshjet që erdhën befasisht dhe ishin sa sasia e krejt reshjeve të vitit.
Prokuroria e Vlorës, njoftoi se ka nisur hetimet për neglizhencë të drejtuesve të Bashkisë-Vlorë, Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime, Ndërmarrjes së Pastrimit, Ndërmarrjes së menaxhimit të ujërave dhe bordit të kullimit në Vlorë, si persona përgjegjës për shkaqet e përmbytjes së qytetit.
Por Prokuroria e Vlorës, me apo pa dashje ka lënë jashtë hetimit shkakun e vërtetë të përmbytjes së Vlorës: korrupsionin me tenderët e Bashkisë, Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime, Ndërmarrja e menaxhimit të ujërave dhe Bordi i Kullimit në Vlorë.
Gjatë 8 viteve të fundit, nga bashkia e Ujësjellësi i Vlorës, nga Ministria e Infrastrukturës, nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Bordi i Kullimit, janë shpenzuar 62 milionë Euro fonde.
Janë shpenzuar për ndërtimin, rikontruksionin dhe pastrimin periodik të rrjetit të kanalizimeve të qytetit të Vlorës, për remontin e mbajtjen në gatishmëri të hidrovorit, dhe për rrjetin e kanaleve të ujërave të larta, duke ua dhënë me tenderë kompanive private.
Ua kanë dhënë drejtuesit, madje pa garë, me kosto 2-3 herë më të larta se kostot reale të investimeve, dhe kanë firmosur dokumente, sikur privatët kanë kryer investime të plota e me cilësi të lartë, kur sipas KLSH, investimet nuk janë kryer plotësisht dhe janë pa standarde e pa cilësi.
P.sh., për ndërtimin dhe funksionimin e kanaleve të ujërave të larta në Vlorë, janë shpenzuar 28 milionë Euro në vitet 2015-2024, por ujërat e lartë përmbytën qytetin me 2 orë shi, sepse ky rrjet kanalesh nuk është ndërtuar në 4 pika të qytetit dhe është jashtë funksionit edhe atje ku ekziston.
Në vitet 2018-2023, oligarku Bashkim Ulaj ka marrë 18 milionë Euro për rikonstruksionin e rrjetit të kanalizimeve dhe rrjetit qendror për evadimin ujërave të shiut, por fakti tregoi se Vlora u përmbyt, mbasi rrjetet nuk janë rikonstruktuar, madje në muajin shkurt 2024, Bashkia e Vlorës i dha 3 milionë Euro të tjera shtesë fondi për kanalizimet.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Bordi i Kullimit, në vitet 2020-2023, kanë bërë 16 milionë Euro tenderë, për të cilat kanë firmosur dhe dokumentet, sikur investimet janë kryer sipas projekteve e me cilësi të lartë, por faktikisht fondet janë vjedhur dhe shiu tregoi se kanalizimet janë jashtë funksionit e në disa zona nuk ekzistojnë.
Prokuroria duhet të hetojë, vetëm faktin që Vlorën e përmbytën 62 milionë Euro tenderë fiktivë, të bërë për rrjet kanalizimesh e evadim ujërash me hidrovor, të cilat u vodhën në pazare mes drejtuesve të Bashkisë, Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime, Bordit të Kullimit dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve e pronarëve të kompanive private./Pamfleti
Lini një Përgjigje