
Dhjetëra mijëra qytetarë iranianë u mblodhën sot në kompleksin fetar Grand Mosalla në Teheran për t'i dhënë lamtumirën ish-Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili drejtoi Republikën Islamike për më shumë se tre dekada.
Të pranishmit, të veshur me rroba të zeza dhe me flamuj iranianë në duar, mbanin postera me portretin e Khameneit dhe të djalit të tij, Mojtaba Khamenei, i cili përmendet si pasues i mundshëm në krye të vendit.
Gjatë ceremonisë, arkivoli i Khameneit u vendos fillimisht në një homazh të mbyllur për zyrtarët iranianë dhe delegacionet e huaja, ndërsa më pas u zhvendos në një platformë të hapur për publikun. Në atë moment, turma shpërtheu në thirrjet: 'Vdekje e SHBA-së'.
Sipas mediave shtetërore iraniane, në të njëjtin sulm ajror ku humbi jetën Khamenei u vranë edhe disa anëtarë të familjes së tij, arkivolet e të cilëve u ekspozuan pranë tij gjatë ceremonisë mortore.
Ndërkohë, mungesa e gjatë në publik e Mojtaba Khameneit ka tërhequr vëmendjen e mediave. Edhe pse autoritetet iraniane kanë deklaruar se gjendja e tij shëndetësore është e mirë, në qarqet mediatike vijojnë spekulimet për fatin dhe rolin e tij në drejtimin e ardhshëm të Republikës Islamike.
Lini një Përgjigje