TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Korrik 2026, 15:16

"Irani po vdes për paqe", Trump zbulon detaje nga bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit

Shkruar nga Pamfleti

"Irani po vdes për paqe", Trump zbulon detaje nga bisedimet mes

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani "po vdes për t'u qetësuar", ndërsa dha detaje mbi ecurinë e bisedimeve indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit, të zhvilluara në Doha të Katarit.

Gjatë një fjalimi, Trump u shpreh se administrata amerikane kishte pezulluar përkohësisht negociatat për shkak të ceremonive mortore në Iran.

"Irani po vdes për t'u qetësuar. Ne u dhamë atyre një javë pushim për një funeral, sepse jemi të sjellshëm", deklaroi Trump.

Më herët gjatë javës, përfaqësues të SHBA-së dhe Iranit zhvilluan bisedime indirekte në Doha për konfliktin në rajon. Negociatat u ndërprenë përpara ceremonive mortore të ish-udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha se takimet kanë prodhuar sinjale inkurajuese.

"Takimet indirekte mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë kanë shënuar përparim pozitiv", deklaroi al-Ansari.

Ai shtoi se raundi i ardhshëm i negociatave do të zhvillohet "sa më shpejt të jetë e mundur" pas përfundimit të ceremonive mortore në Iran.

Edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance u shpreh optimist për procesin, por theksoi se është ende herët për përfundime. "Bisedimet po shkojnë mirë, megjithëse është ende shumë herët", u shpreh Vance.

Ndërkohë, zhvillimet diplomatike në Lindjen e Mesme vazhdojnë edhe në fronte të tjera. Javën e kaluar, Libani dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, por përplasjet nuk janë ndalur. Vetëm dy ditë pas marrëveshjes, Izraeli miratoi vazhdimin e operacioneve ushtarake në jug të Libanit.

Po ashtu, ministri i Jashtëm i Sirisë zhvilloi këtë javë vizitën e tij të parë zyrtare në Bejrut, ku u takua me drejtuesit libanezë, në një moment kur administrata Trump ka përmendur mundësinë e një angazhimi më të madh sirian në Liban.

donald trump irani negociata doha katar paqe

Lini një Përgjigje