TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Mars 2026, 15:27

6 shtete nismë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit: Të gatshëm për të kontribuar në kalimin e sigurt të naftës!

Shkruar nga Pamfleti
6 shtete nismë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit: Të
Ngushtica e Hormuzit

Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia kanë publikuar një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë moratorium të menjëhershëm global për sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë impiantet e naftës dhe gazit, si edhe rivendosjen e kalimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Në deklaratë, këto vende dënojnë sulmet e fundit të Iranit ndaj anijeve tregtare të paarmatosura në Gjirin Persik, goditjet ndaj infrastrukturës civile dhe atë që e cilësojnë si mbyllje de facto të Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane.

Ato shprehin shqetësim për përshkallëzimin e konfliktit dhe i kërkojnë Iranit të ndalojë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa, si edhe çdo veprim që pengon lundrimin tregtar në ngushticë. Në të njëjtën kohë, i bëjnë thirrje Teheranit të veprojë në përputhje me rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas deklaratës, liria e lundrimit mbetet një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe sipas Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit. Gjashtë vendet paralajmërojnë se pasojat e veprimeve të Iranit do të ndikojnë në shkallë globale, me efekt më të madh mbi shtetet dhe popullsitë më të ekspozuara.

Ato theksojnë se ndërhyrjet në lundrimin ndërkombëtar dhe ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit me energji përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Për këtë arsye, kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj objekteve civile, veçanërisht ndaj instalimeve të naftës dhe gazit.

Deklarata e përbashkët:

Dënojmë me forcën më të madhe sulmet e fundit të ndërmarra nga Irani kundër anijeve tregtare të paarmatosura në Gjirin (Persik), sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë impiantet e naftës dhe gazit, si dhe mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane.

Shprehim shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e konfliktit. I bëjmë thirrje Iranit të ndalojë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa dhe çdo përpjekje tjetër për të bllokuar ngushticën për lundrimin tregtar, si dhe të përputhet me rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, edhe sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. Pasojat e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në çdo pjesë të botës, veçanërisht nga më të pambrojturit.

Në përputhje me rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, theksojmë se ndërhyrje të tilla në lundrimin ndërkombëtar dhe ndërprerja e zinxhirëve globalë të furnizimit me energji përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në këtë kuadër, kërkojmë një moratorium të menjëhershëm global për sulmet ndaj infrastrukturës civile, përfshirë instalimet e naftës dhe gazit.

Shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të garantuar kalimin e sigurt përmes Ngushticës. Mirëpresim angazhimin e vendeve që po vijojnë me planifikimet përkatëse përgatitore.

Mirëpresim vendimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për të autorizuar një çlirim të koordinuar të rezervave strategjike të naftës. Do të ndërmarrim masa të tjera për të stabilizuar tregjet e energjisë, përfshirë bashkëpunimin me disa vende prodhuese për të rritur prodhimin.

Gjithashtu, do të angazhohemi për të ofruar mbështetje për vendet më të prekura, edhe përmes Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Siguria detare dhe liria e lundrimit janë në dobi të të gjitha vendeve. I bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të mbrojnë parimet themelore të prosperitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.

ngushtica e hormuzit

Lini një Përgjigje