TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Maj 2025, 20:53

A do të bëhet pornografia krim federal në SHBA? Ligji i propozuar nga besniku i Trump trazon ujërat

Shkruar nga Pamfleti

A do të bëhet pornografia krim federal në SHBA? Ligji i

Pornografia mund të bëhet një krim i ri. Ku? Në Iran? Në Arabinë Saudite? Në Afganistan? Jo, në Shtetet e Bashkuara. Në vendin që për shumëkënd përfaqëson simbolin e lirisë personale. Dhe nuk është thjesht një ide e çuditshme që qarkullon në rrethet më klerikale e konservatore të Amerikës, ato që përbëjnë një nga bazat më të mëdha të mbështetjes për Donald Trump, por një projektligj zyrtar i paraqitur nga senatori republikan i Utah-ut, Mike Lee, një ndër figurat më të spikatura që rrotullohet rreth ish-presidentit.

Nisma e Lee nuk është një shashkë e rastësishme, por konkretizimi i një prej pikave të “Project 2025”, plani i qeverisjes i hartuar nga “Heritage Foundation”, think tank-u më i madh i së djathtës amerikane, sot tërësisht i orientuar drejt ekstremizmit trumpian.

Çfarë konsiderohet "i turpshëm"?

Që pornografia dhe "turpi" janë një dyshe sinonim për Mike Lee dhe Heritage Foundation, e tregon vetë emri i projektligjit – “Interstate Obscenity Definition Act” (IODA) – i cili synon ndalimin e pornografisë në nivel federal, në të 50 shtetet e Amerikës, duke rishkruar konceptin e "turpit", i cili deri më tani është mbrojtur nga interpretimi i gjerë i Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane.

Sipas tekstit të projektligjit, “një fotografi, një imazh, një skedar grafik, një film, një kasetë video apo çdo përfaqësim vizual tjetër” që “nxit interes të sëmurë për lakuriqësinë, seksin apo jashtëqitjen” do të konsiderohej i paligjshëm.

Nëse projektligji miratohet – edhe pse procesi legjislativ ende nuk ka nisur – tregu i tërë i pornografisë në SHBA do të detyrohej të mbyllet. Dhe nuk është pak: vetëm në SHBA industria e pornografisë vlerësohet të ketë një xhiro prej 10 deri në 15 miliardë dollarë në vit.

Edhe “Game of Thrones” mund të ndalohej

“Turpi nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë, por përkufizimet e paqarta dhe të pazbatueshme kanë lejuar pornografinë ekstreme të përhapet në shoqërinë amerikane dhe të arrijë te shumë fëmijë”, ka deklaruar senatori Mike Lee në një komunikatë për shtyp. “Projektligji ynë përditëson përkufizimin ligjor të turpit për epokën e internetit, që këto përmbajtje të mund të hiqen dhe shpërndarësit e tyre të ndiqen penalisht”.

Sipas kritikëve, përkufizimi i "turpit" në projektligjin IODA është aq i gjerë, saqë edhe seriale si “Game of Thrones” apo shumë filma me skena eksplicite do të rrezikonin të ndaloheshin.

Fushata anti-pornografi e “Project 2025”

Fushata kundër pornografisë nuk është e re, por tashmë përqafohet nga rrethi më i ngushtë i Trump-it dhe promovohet nga “Project 2025”. Në agjendën politike “Mandate for Leadership” të hartuar nga Heritage Foundation, pornografia përshkruhet si “përhapje e ideologjisë transgjinore dhe seksualizim i fëmijëve”, duke sugjeruar se “ata që e prodhojnë dhe shpërndajnë duhet të burgosen” dhe se “kompanitë teknologjike që e lehtësojnë përhapjen e saj duhet të mbyllen”.

Përpara projektligjit të Mike Lee, tashmë 17 shtete amerikane kishin miratuar ndalime apo kufizime ndaj pornografisë, çështje që janë ende objekt përplasjesh ligjore. Për shkak të këtyre ligjeve më të rrepta, disa faqe pornografike, përfshirë Pornhub, kanë pezulluar shërbimet për përdoruesit në shtete si Teksas, Luiziana, Utah, Arkansas, Mississippi, Montana, Virxhinia dhe Karolina e Veriut. /Përshtatur nga Corriere Della Sera

Lini një Përgjigje