Bota po futet në epokën e forcës brutale...
Në një deklaratë të guximshme në Forumin Ekonomik të Davosit, kryeministri kanadez Mark Carney tha hapur atë që shumë liderë e mendojnë, por nuk e thonë publikisht: rendit botëror të bazuar në rregulla, ai që Perëndimi pretendon se e mban që nga Lufta e Dytë Botërore, i ka ardhur fundi.
Në muajt e fundit, SHBA, që për dekada ka qenë themeli ushtarak dhe financiar i këtij rendi, ka ndërmarrë veprime që kanë tronditur aleatët: ka ndërhyrë ushtarakisht në Venezuelë, ka kërcënuar me pushtim një territor europian, Groenlandën, dhe ka paralajmëruar tarifa ndëshkuese ndaj çdo aleati perëndimor që e kundërshton.
Në vend të Kombeve të Bashkuara, që prej vitit 1945 është institucioni ndërkombëtar i ligjshmërisë globale, Donald Trump po shtyn përpara një strukturë alternative të quajtur “Bordi i Paqes”, që shumë e shohin si një mjet për të zëvendësuar sistemin aktual ndërkombëtar me një projekt të kontrolluar personalisht nga ai vetë.
Duke folur në Davos, Carney pranoi se, në dritën e sjelljes së SHBA-së, veçanërisht me pretendimet për Groenlandën, iluzioni i rendit botëror ka përfunduar. “Fuqia e sistemit nuk vjen nga e vërteta e tij, por nga fakti që të gjithë sillen sikur është e vërtetë. Kur edhe një pjesëmarrës ndalon së ‘aktruari’, iluzioni fillon të thyhet”, tha ai.
Ai shtoi: “Për vite të tëra kemi marrë pjesë në rituale dhe kemi shmangur të ballafaqohemi me kontradiktat midis retorikës dhe realitetit. Por ky kompromis nuk funksionon më. Jemi në mes të një krisjeje, jo të një tranzicioni.”
Trump, nga partner në grabitqar
Në fjalimin e tij të nesërmen, Trump e bëri të qartë se rregullat e vjetra nuk kanë më vlerë për të. Ai përmendi me krenari operacionin për të rrëmbyer presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe ironizoi Europën si e dobët dhe pa vullnet politik. Por deklarata më tronditëse ishte për Groenlandën: “Ne duam një copë akull për mbrojtjen e botës. Ata nuk e japin. Kështu që kanë një zgjedhje: të thonë ‘po’, dhe do jemi shumë mirënjohës. Ose të thonë ‘jo’, dhe ne do ta mbajmë mend.”
Ky mentalitet shkel çdo nocion të sovranitetit dhe diplomacisë ndërkombëtare. As marrëveshjet, as OKB-ja, as ligji ndërkombëtar nuk përmenden më në qasjen e Trump. Siç tha një zyrtar europian: “SHBA nuk është më aleat, është një grabitqar.”
Perëndimi i përçarë dhe i pafuqishëm
Përpjekjet e Europës për të kundërshtuar ambiciet amerikane në Groenlandë kanë qenë simbolike, një numër i vogël trupash të dërguar në ishull është përballur me zemërim amerikan dhe kërcënime të menjëhershme me tarifa tregtare.
Sipas Geoffrey Nice, ish-prokuror i gjyqit për krime lufte të Sllobodan Millosheviçit, përfundimi i rendit botëror të pasluftës reflekton një mashtrim të gjatë: “Për dekada kemi menduar se vlerat dhe interesat e sigurisë mes SHBA dhe Europës janë të njëjta. Por nuk kanë qenë kurrë.”
Në praktikë, SHBA është tërhequr nga traktate ndërkombëtare, përfshi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, të cilën e përdori vetëm kur i shërbente interesave të veta (si për urdhrin e arrestit ndaj Putinit), por nuk e njeh juridiksionin e saj. Edhe marrëveshjet për klimën dhe ato për Iranin janë braktisur nga SHBA sa herë që nuk i kanë leverdisur.
Rendi i rremë dhe hipokrizia perëndimore
Kritikat ndaj rendit të ashtuquajtur të bazuar në rregulla janë rritur me kalimin e kohës, por kanë arritur kulmin në dritën e mbështetjes perëndimore ndaj Izraelit, përkundër asaj që shumë e konsiderojnë si luftë gjenocidale në Gaza. Mbi 71.550 palestinezë janë vrarë në dy vitet e fundit, ndërsa urdhri i arrestit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Benjamin Netanyahun është injoruar nga liderët perëndimorë – një tjetër tregues i standardit të dyfishtë në zbatimin e ligjit ndërkombëtar.
“Ideja e një rendi të vetëm, të barabartë dhe të ndershëm ndërkombëtar është e vdekur – nëse ka ekzistuar ndonjëherë vërtet”, tha H.A. Hellyer nga Instituti Mbretëror i Studimeve për Mbrojtjen dhe Sigurinë në Londër.
Në Davos u bë e qartë se jo vetëm që SHBA ka ndryshuar, por edhe besimi i verbër i Europës te Uashingtoni është në kolaps. Me një president amerikan që shfaq hapur prirje autoritare dhe shkel çdo normë ndërkombëtare në emër të “interesit kombëtar”, bota ndodhet përballë një epoke të re: fuqia e zhveshur përballë rendit të simuluar. /Përshtatur nga Al Jazeera
Lini një Përgjigje