
Muaji shkurt i këtij viti është renditur si i pesti më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë në nivel global, ndërsa në disa zona të Evropës u shoqërua me reshje të dendura dhe përmbytje, sipas të dhënave të Observatorit Evropian Copernicus.
Sipas buletinit mujor të klimës, temperatura mesatare globale në sipërfaqen e Tokës arriti në 13.26°C, rreth 1.49°C më e lartë se mesatarja e periudhës 1850–1900, e cila përdoret si referencë për periudhën para fillimit të përdorimit masiv të lëndëve djegëse fosile si qymyri, nafta dhe gazi.
Ndërkohë, në Evropë temperaturat mesatare rezultuan më të ulëta dhe shkurti u rendit ndër muajt më të ftohtë të 14 viteve të fundit, megjithëse kontinenti u karakterizua nga diferenca të mëdha rajonale.
Temperatura nën mesataren e periudhës 1991–2020 u regjistrua në Skandinavi, Finlandë, shtetet baltike dhe veriperëndimin e Rusisë. Në të kundërt, Evropa Perëndimore dhe Jugore përjetuan temperatura dukshëm më të larta se normalja.
Edhe temperatura e sipërfaqes së oqeaneve rezultoi shumë e lartë, me shkurtin që u rendit si i dyti më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë për këtë tregues.
Në Arktik, shtrirja mesatare e akullit detar ishte rreth 5% më e ulët se mesatarja, duke shënuar nivelin e tretë më të ulët për një muaj shkurt. Megjithatë edhe në këtë rajon u vunë re kontraste, pasi në Grenlandë u regjistrua shtrirja më e madhe e akullit për muajin shkurt në 22 vitet e fundit.
Kontraste të forta u vunë re edhe në kushtet hidrologjike. Evropa Perëndimore dhe Jugore përjetuan një muaj shumë më të lagësht se mesatarja, ndërsa pjesë të tjera të kontinentit u përballën me kushte më të thata. Në Francë, reshjet e shumta shkaktuan përmbytje.
Më 16 dhe 17 shkurt, një seri prej nëntë stuhish goditën Spanjën, Portugalinë dhe Marokun, duke sjellë reshje të rrëmbyeshme dhe erëra të forta që lanë pas më shumë se 50 viktima.
Një studim i publikuar nga grupi i shkencëtarëve World Weather Attribution (WWA) arrin në përfundimin se ndryshimet klimatike kanë ndikuar në intensifikimin e këtyre reshjeve ekstreme.
“Ngjarjet ekstreme të motit gjatë shkurtit 2026 nënvizojnë pasojat gjithnjë e më të forta të ndryshimeve klimatike dhe nevojën urgjente për veprim global për t’i përballuar ato”, thuhet në deklaratën e një përfaqësuesi të Copernicus.
Sipas observatorit evropian, në shumë raste reshjet intensive dhe përmbytjet janë lidhur edhe me fenomenin e “lumenjve atmosferikë”, korridore të ngushta ajri shumë të lagësht që transportojnë sasi të mëdha uji dhe shkaktojnë reshje rekord në disa zona të Evropës.
Lini një Përgjigje