Edhe Nigel Farage, lideri i Reform UK dhe një besnik i Trump, e quajti “një akt armiqësor” idenë që SHBA të vendoste tarifa nëse Europa nuk pranonte dorëzimin e Groenlandës...
Përpjekja e Donald Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës ka krijuar një përçarje të thellë mes ish-presidentit amerikan dhe disa prej aleatëve të tij më të afërt ideologjikë në Europë.
Atje ku dikur dominonte entuziazmi i pakushtëzuar ndaj “axhendës Trump”, tani përplasen parimet bazë të së djathtës ekstreme: mbi të gjitha, sovraniteti kombëtar.
Një tjetër përshkallëzim ndodhi kur Trump kritikoi aleatët e NATO-s, duke thënë se trupat e tyre “qëndruan larg vijave të frontit” gjatë luftës në Afganistan. Kjo deklaratë ka acaruar ndjenjat nacionaliste në të djathtën europiane dhe ka shkaktuar një valë kritikash të hapura.
Javën e kaluar, Trump u tërhoq pjesërisht nga retorika për Groenlandën, duke premtuar se nuk do ta merrte ishullin me forcë dhe nuk do të vendoste tarifa ndaj vendeve që e kundërshtojnë. Megjithatë, dëmi politik ishte bërë. Për shumë populistë radikalë të së djathtës, të cilët udhëheqin ose mbështesin qeveri në një të tretën e vendeve të BE-së, Trump po shihet gjithnjë e më shumë si një pengesë për kauzën e tyre kombëtariste dhe anti-BE.
Kjo përçarje rrezikon të minojë vetë strategjinë e sigurisë kombëtare të administratës së tij, e cila synonte “kultivimin e rezistencës” ndaj kursit aktual të Europës, nëpërmjet bashkëpunimit me aleatë “patriotë” për të shmangur “zhdukjen e qytetërimit perëndimor”.
Vetëm një vit më parë, liderët e së djathtës ekstreme në Europë e përshëndetën me entuziazëm kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë. Disa muaj më vonë, ata u mblodhën në Madrid nën sloganin “Make Europe Great Again”, duke lavdëruar axhendën e tij “America First”.
Por tani ka një kthesë. Sondazhet tregojnë se Trump është jashtëzakonisht jopopullor në Europë. Edhe mes votuesve të së djathtës ekstreme, shumë e shohin atë si një kërcënim për BE-në dhe mbështesin forcimin e bllokut.
Një sondazh i platformës “Le Grand Continent” tregon se 18–25% e votuesve të ekstremit të djathtë në Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë e konsiderojnë Trump si “armik të Europës”. Ndërsa 30–49% e tyre thonë se, nëse tensionet me SHBA për Groenlandën rriten, ata do të mbështesnin dërgimin e trupave europiane për të mbrojtur territorin.
Trumpi është kritikuar gjerësisht edhe për përdorimin e forcës ekonomike si mjet presioni. Udhëheqës nga Franca, Gjermania dhe Italia kanë reaguar ashpër, disa duke tingëlluar si politikanët “mainstream” që zakonisht i përçmojnë.
Në një debat në Parlamentin Europian javën e kaluar, eurodeputetët e djathtë, zakonisht pro-Trump, mbështetën ngrirjen e ratifikimit të marrëveshjes tregtare BE–SHBA, duke e cilësuar qasjen e Trump si “kërcënim ndaj sovranitetit”.
Jordan Bardella, kreu i RN-së së Marine Le Pen, e quajti deklaratën për Groenlandën “sfidë të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të një vendi europian” dhe theksoi se kur një president amerikan përdor presion tregtar për të marrë një territor, “nuk është dialog, por shtrëngim”.
Alice Weidel, lidere e AfD në Gjermani, deklaroi se Trump kishte shkelur një premtim themelor elektoral, të mos ndërhynte në punët e vendeve të tjera.
Edhe Nigel Farage, lideri i Reform UK dhe një besnik i Trump, e quajti “një akt armiqësor” idenë që SHBA të vendoste tarifa nëse Europa nuk pranonte dorëzimin e Groenlandës, dhe këtë, pa kërkuar fare pëlqimin e popullit të Groenlandës.
Disa liderë që janë në pushtet, ishin më të përmbajtur. Giorgia Meloni, kryeministrja italiane që ka qenë një “kanal i afërt” me Trump, kritikoi idenë e dërgimit të trupave europiane në Groenlandë, por pranoi se i kishte thënë presidentit amerikan se kërcënimet për Groenlandën ishin një gabim.
Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë dhe mbështetësi më i zjarrtë i Trump në Europë, shmangu çdo koment direkt, duke thënë: “Është çështje e brendshme… një çështje e NATO-s”.
Presidenti nacionalist i Polonisë, Karol Nawrocki, kërkoi që çështja të zgjidhet “në mënyrë diplomatike” mes Uashingtonit dhe Kopenhagës, pa përfshirë një debat të gjerë europian. Ai e quajti SHBA-në “aleat shumë të rëndësishëm” dhe u bëri thirrje liderëve perëndimorë të “zbusin tonin”.
Edhe në Çeki, kryeministri Andrej Babiš paralajmëroi kundër një përplasjeje transatlantike.
Megjithatë, kritikat më të forta ndaj Trumpit në Europë erdhën pas deklaratës së tij për trupat e NATO-s në Afganistan, që u cilësua nga Meloni si e papranueshme. /Përshtatur nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje