Pjesëmarrja në bord kushton 1 miliard dollarë për anëtarësi të përhershme, çka e bën këtë një klub ekskluziv “paguaj për të hyrë”, ku demokracia dhe të drejtat nuk janë kriter...
Që prej marrjes së detyrës, administrata e Donald Trump ka punuar vazhdimisht për të minuar rolin e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht përpjekjet e saj për të mbrojtur të drejtat universale të njeriut. Tani, presidenti amerikan kërkon të krijojë një organizatë të re ndërkombëtare, të quajtur “Bordi i Paqes”, ku ai vetë do të jetë kryetar i përjetshëm.
Ndërsa shumë vende janë ftuar t’i bashkohen, ato që kanë pranuar përbëjnë një “galeri të errët” liderësh dhe qeverish me bilanc shqetësues ose skandaloz për të drejtat e njeriut. Lista përfshin presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të dy me urdhër-arreste ndërkombëtare nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe liderë autoritarë nga Kina, Bjellorusia dhe Kazakistani.
Vetë SHBA ka qenë ndër themeluesit e OKB-së në vitin 1945, pas krimeve të Luftës së Dytë Botërore, me qëllimin për të ndaluar përsëritjen e gjenocideve dhe shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut. Por marrëdhënia e SHBA me OKB-në ka qenë gjithnjë e ndërlikuar. Gjatë administratës Trump, kjo marrëdhënie kaloi në armiqësi të hapur. Ai e akuzoi OKB-në për agjendë “anti-amerikane” dhe bllokoi dhjetëra programe jetike të saj, ndër to edhe Fondin për Popullsinë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Trump kërkoi heqjen e fjalëve si “gjini”, “diversitet” apo “klimë” nga rezolutat zyrtare të OKB-së, duke i cilësuar si “të zgjimit” apo të politizuara. Në Këshillin e Sigurimit, ai përdori të drejtën e vetos për të bllokuar nisma që nuk i pëlqenin, por në Asamblenë e Përgjithshme ndikimi i SHBA është i kufizuar.
Tani, përmes “Bordit të Paqes”, Trump synon të krijojë një version të vetin të Këshillit të Sigurimit. Sipas kartës themeluese, ky bord do të jetë “organ ndërkombëtar për stabilitet, qeverisje të ligjshme dhe paqe të qëndrueshme”. Por fjala “të drejta të njeriut” mungon plotësisht – një detaj që përkon me linjën e Kinës dhe Rusisë, të cilat kanë punuar për vite për të minimizuar rolin e të drejtave të njeriut në sistemin e OKB-së.
Pjesëmarrja në bord kushton 1 miliard dollarë për anëtarësi të përhershme, çka e bën këtë një klub ekskluziv “paguaj për të hyrë”, ku demokracia dhe të drejtat nuk janë kriter. Vetëm Hungaria dhe Bullgaria nga vendet e BE-së kanë pranuar të marrin pjesë. Ndërsa Franca e refuzoi ftesën dhe presidenti Macron u kërcënua nga Trump me rritje të tarifave për verën dhe shampanjën franceze.
Edhe Kanadaja u ftua, por Trump e tërhoqi ofertën pas fjalimit të fortë të kryeministrit Mark Carney në Davos, ku ai denoncoi përdorimin e forcës ekonomike nga fuqitë e mëdha kundër vendeve më të vogla dhe u bëri thirrje fuqive të mesme që të bashkohen për të mbrojtur rendin ndërkombëtar.
Fillimisht, ky bord ishte parashikuar të administronte Gazën, pas dy viteve të ofensivës shkatërrimtare izraelite që, sipas të dhënave të paqarta, ka lënë mbi 70 mijë palestinezë të vrarë. Në statut, Gaza nuk përmendet. Por në Davos, Jared Kushner, dhëndri i Trump, organizoi një ngjarje anësore, ku shpalli “Bordin Ekzekutiv për Gazën”, pa pjesëmarrje palestineze. Në këtë bord përfshihen Tony Blair, disa negociatorë amerikanë dhe përfaqësues nga Turqia dhe Katari. Vizioni i Kushner për Gazën përfshinte “qiellgërvishtës” dhe plazhe të mbushura me turistë, por jo njerëzit që sot jetojnë në rrënoja.
Në vend që t’i japin Trumpit një skenë globale dhe fonde për të marginalizuar OKB-në, vendet demokratike duhet të mbrojnë institucionet ndërkombëtare që garantojnë të drejtat e njeriut dhe rendin ndërkombëtar. Ato duhet të kundërshtojnë sanksionet e padrejta të Trump kundër gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe raportuesve të OKB-së. Duhet të kërkojnë drejtësi për krimet në Gaza, Ukrainë, Sudan, Mianmar dhe kudo ku paqja po vritet me heshtje diplomatike.
Çdo hap më pak do t’i hapte rrugën një fitoreje të rrezikshme për Trumpin dhe një bote të udhëhequr nga klube ku sundojnë të fortët dhe shkelet mbi viktimat. /Përshtatur nga “Al Jazeera”
Lini një Përgjigje