Franca ka dërguar aeroplan-mbajtësen e saj “Charles de Gaulle” drejt ujërave të Atlantikut të Veriut, në një kohë kur tensionet gjeopolitike rreth Groenlandës janë rritur ndjeshëm pas deklaratave dhe lëvizjeve të fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria franceze e Mbrojtjes ka konfirmuar nisjen e operacionit, ndërsa sipas burimeve të agjencisë AFP, anija është nisur drejt veriperëndimit, në afërsi të rajonit të kontestuar arktik.
Kjo lëvizje vjen si përgjigje indirekte ndaj qëndrimeve të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar me ndërhyrje të mundshme dhe me kërkesën që bazat ushtarake amerikane në Groenlandë të kthehen në territor sovran amerikan. Edhe pse më vonë ai zbuti retorikën, përpjekjet për një marrëveshje mbeten aktive, ndërkohë që autoritetet e Groenlandës kanë refuzuar kategorikisht çdo skenar të tillë.
Ministria franceze e Mbrojtjes deklaroi se “Charles de Gaulle” do të angazhohet në një stërvitje të përbashkët dhe në shkallë të gjerë me aleatë të NATO-s dhe partnerë rajonalë.
“E zhvilluar në javët në vijim në zonën e Atlantikut, një zonë strategjike për mbrojtjen e interesave evropiane, kjo stërvitje do të bashkojë forcat franceze me ato të aleatëve tanë më të ngushtë,” thuhet në deklaratë.
Dislokimi i aeroplan-mbajtëses në këtë rajon shihet si sinjal i qartë se Franca, dhe për rrjedhojë Europa, nuk kanë ndërmend të qëndrojnë pasive përballë manovrave amerikane në Arktik dhe përreth Groenlandës, një zonë që po fiton rëndësi strategjike për shkak të ndryshimeve klimatike, pasurive natyrore dhe potencialit ushtarak.
Lini një Përgjigje