
Qeveria suedeze do të dërgojë në parlament një projekt-ligj kundër terrorizmit për të bindur Turqinë anëtare të NATO-s që të heqë veton ndaj anëtarësimit të saj në paktin e mbrojtjes.
Një zëdhënës i ministrit suedez të drejtësisë, Gunnar Strommer tha se qeveria do ta dorëzojë projektligjin e saj në parlament të enjten, pasi ta miratojë zyrtarisht atë më herët gjatë ditës.
"Lufta kundër terrorizmit është një pjesë qendrore e marrëveshjes trepalëshe. Me legjislacionin e ri që qeveria po prezanton tani, Suedia do të ketë një mjet të fuqishëm për të ndjekur penalisht njerëzit që mbështesin terrorizmin", tha Strommer në një shkrim në të përditshmen "Dagens Nyheter", duke iu referuar një memorandumi trepalësh mbi hapat drejt ratifikimit turk të nënshkruar vitin e kaluar nga Turqia, Suedia dhe Finlanda.
Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t'u bashkuar me NATO-n mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por ende nuk janë miratuar nga Turqia dhe Hungaria.