TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Shtator 2025, 21:29

Brenda operacionit në Katar: Si Netanyahu po tenton të ndezë flakë gjithë Lindjen e Mesme

Shkruar nga Pamfleti

Brenda operacionit në Katar: Si Netanyahu po tenton të ndezë

Si u shkatërrua një mundësi armëpushimi dhe u tronditën aleancat në Lindjen e Mesme...

Një ndjesi urgjence përshkonte takimin në Doha mbrëmjen e 9 shtatorit. Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, ishte përballë negociatorit kryesor të Hamasit, Khalil Al-Hayya. Të dy kishin negociuar shumë herë më parë, shpesh pa rezultat, por këtë herë ishte ndryshe.

Shtetet e Bashkuara kishin paraqitur një propozim të ri për armëpushim, një marrëveshje që mund t’i jepte fund pothuaj dy viteve lufte në Gaza. Presidenti Donald Trump e kishte cilësuar këtë si “paralajmërimin e fundit” për Hamasin, duke pretenduar para kohe se Izraeli e kishte pranuar, ndonëse Tel Avivi vetëm e konsideronte seriozisht. Katari kishte marrë përsipër të bindte Hamasin dhe njëkohësisht të mbante Izraelin në tryezën e bisedimeve.

Biseda mes kryeministrit të Katarit dhe Al-Hayya përfundoi para orës 21:30, por puna e vërtetë sapo kishte nisur. Menjëherë pas takimit, negociatorët katariotë lidhën kontakt me palën izraelite për të dhënë informacion mbi ecurinë e diskutimeve. Hamas premtoi një përgjigje përfundimtare brenda 12 orësh.

Por Izraeli kishte plane të tjera. Para se të mbaronte afati, më 10 shtator, avionë luftarakë izraelitë goditën një ndërtesë banimi në qendër të Dohas, ku inteligjenca izraelite dyshonte se ndodheshin liderë të Hamasit. Sipas Hamasit, në vend të eliminimit të Al-Hayya dhe ekipit negociator, sulmi vrau pesë anëtarë më të ulët të grupit dhe një roje sigurie katariote.

Një sulm i planifikuar prej muajsh

Izraeli kishte paralajmëruar prej kohësh se do të godiste udhëheqësit e Hamasit kudo që ndodheshin. Pas atentateve ndaj Ismail Haniyeh në Iran dhe Saleh al-Arourit në Liban, Tel Avivi e ngriti nivelin e lojës duke planifikuar një sulm të paprecedentë në Katar, një vend që është jo vetëm aleat i SHBA-së, por edhe ndërmjetës kyç për armëpushimin.

Shefi i Shtabit të IDF, gjenerali Eyal Zamir, dhe kreu i Mossad, David Barnea, kishin shprehur rezerva mbi kohën e operacionit, pasi do të vinte menjëherë pas propozimit amerikan për paqe. Por kryeministri Netanyahu, i ndikuar nga partnerët e tij të djathtë ekstremistë, vendosi të ecë përpara.

Një lojë e rrezikshme me SHBA-në dhe Katarin

Sulmi ishte një sfidë e hapur ndaj Katarit, një shtet që strehon bazën më të madhe ushtarake amerikane në rajon, Al-Udeid Air Base, dhe që prej vitit 2022 është shpallur “aleat kryesor jo-NATO” i Uashingtonit.

Izraeli e njoftoi SHBA-në për operacionin vetëm në momentet e fundit, për të shmangur mundësinë që Katari të paralajmëronte Hamasin. Avionët luftarakë izraelitë, përfshirë F-35, kaluan përmes një hapësire ajrore të mbuluar nga radarë amerikanë dhe sisteme Patriot, duke u kamufluar si “miq”.

Rezultati: në orën 15:46 të pasdites, mbi dhjetë raketa goditën ndërtesën e shënjestruar në Doha.

Reagimi i menjëhershëm ndërkombëtar

Qeveria e Katarit reagoi me ashpërsi, duke e cilësuar sulmin “terrorizëm shtetëror” dhe një akt që rrezikon të shkatërrojë çdo shans për paqe. Kryeministri Al-Thani akuzoi Netanyahu-n se “po minon në mënyrë sistematike çdo mundësi stabiliteti dhe çdo shpresë për lirimin e pengjeve izraelite.”

Presidenti Trump, i cili ishte përpjekur ta shiste marrëveshjen si një sukses të madh diplomatik, u shpreh i zemëruar me Izraelin, por nuk e dënoi publikisht. Shtëpia e Bardhë deklaroi: “Bombardimi unilateral brenda Katarit, një shteti sovran dhe aleat i ngushtë i SHBA-së, nuk e avancojnë as qëllimet e Izraelit dhe as të Amerikës.”

Netanyahu, nga ana e tij, mori menjëherë përgjegjësinë për operacionin, duke theksuar se ishte “krejtësisht i pavarur dhe izraelit”, në përpjekje për ta distancuar Uashingtonin.

Pasojat

-Ky sulm i parë ndonjëherë i Izraelit në një shtet të Gjirit përbën një pikë kthese në konflikt. Ai:

-Dobësoi besueshmërinë e SHBA-së në Lindjen e Mesme, pasi tregoi se aleati i saj kryesor në rajon vepron pa u koordinuar me Uashingtonin.

-Kompromentoi rolin ndërmjetës të Katarit, që tani ndihet i tradhtuar dhe i ekspozuar ndaj kritikave të brendshme.

-Dështoi ushtarakisht, pasi objektivi kryesor nuk u eliminua, duke e bërë çmimin diplomatik shumë më të madh se fitimi taktik.

Konflikti në Gaza është tashmë afër të hyjë në vitin e dytë dhe, pas këtij sulmi, çdo rrugë negociatash duket edhe më e mjegulluar. Në vend që ta afrojë fundin e luftës, Netanyahu duket se ka shtyrë edhe më tej mundësinë e një marrëveshjeje. /Përshtatur nga “CNN”

Lini një Përgjigje