
Qeveria britanike pritet të shpallë sot njohjen zyrtare të Palestinës si shtet të pavarur, një hap i rëndësishëm diplomatik që mund të ndryshojë ekuilibrat në Lindjen e Mesme dhe të rrisë presionin ndërkombëtar mbi Izraelin për një armëpushim në Gaza.
Sipas burimeve të Sky News, kjo lëvizje do të përbëjë një kthesë të madhe në politikën e jashtme britanike, veçanërisht duke pasur parasysh se Kryeministri Keir Starmer kishte deklaruar më herët se një njohje e tillë do të ndodhte vetëm në “kohën e duhur” dhe në përputhje me zhvillimet në terren.
Deklarata e mundshme vjen në një kohë kur Izraeli vijon ofensivën në Rripin e Gazës, me mijëra viktima civile, dhe ndërkohë që Bregu Perëndimor përballet me rritje të tensioneve dhe vendbanimeve të reja izraelite – një proces që është cilësuar si “aneksim de facto” nga komuniteti ndërkombëtar.
Zyra e Starmer ka përcaktuar më herët katër kushte për të marrë një vendim të tillë: një armëpushim në Gaza, lejimi i ndihmave humanitare, ndalimi i përpjekjeve për aneksim në Bregun Perëndimor dhe rikthimi i perspektivës së zgjidhjes me dy shtete. Megjithatë, deri më tani asnjë nga këto kushte nuk është përmbushur në mënyrë të plotë.
Për këtë arsye, analistët e shohin njohjen e mundshme të Palestinës nga Londra si një akt politik me peshë të madhe simbolike – një sinjal i qartë ndaj Izraelit se mbështetja perëndimore nuk është më e pakushtëzuar dhe se shkeljet e të drejtave të njeriut nuk do të tolerohen pafundësisht.
Zyrtarët izraelitë e kanë quajtur këtë hap të mundshëm si një “shpërblim për terrorizmin”, ndërkohë që mbështetësit e Palestinës e konsiderojnë atë si një hap të vonuar, por të domosdoshëm drejt legjitimimit ndërkombëtar të një shteti të pavarur palestinez.
Nëse Britania do ta zyrtarizojë sot njohjen, ajo do t’i bashkohet më shumë se 140 vendeve që tashmë e kanë njohur shtetin e Palestinës, përfshirë shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme, Amerikën Latine, Afrikën dhe disa vende evropiane.
Kjo do të ishte gjithashtu një sinjal i fortë në drejtim të SHBA-së, e cila deri më tani ka refuzuar çdo akt të tillë, duke mbështetur vetëm një marrëveshje të dakordësuar midis palëve – e cila në praktikë mbetet e paarritshme.
Lini një Përgjigje