Bota28 Gusht 2023, 17:57

Bullgaria vijon bllokadën ndaj Shkupit: Nuk kemi ndryshuar qëndrim

Shkruar nga Pamfleti

Bullgaria vijon bllokadën ndaj Shkupit: Nuk kemi ndryshuar qëndrim

Bullgaria mbetet në pozicionin e njëjtë sa i përket Maqedonisë së Veriut, se duhet të përmbushë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian lidhur me domosdoshmërinë për ndryshimet kushtetuese, ka deklaruar kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, në një intervistë për gazetën e Sofjes “24 orë”.

Ndryshimet kushtetuese, që janë në procedurë parlamentare në Maqedoninë e Veriut, parashikojnë përfshirjen në preambulën e Kushtetutës të pakicës bullgare, si popull shtetformues.

Ky është kushti kryesor të cilin duhet të përmbushë Shkupi, në të kundërtën Sofja mban të drejtën e vetos të cilën e kishte përdorur në nëntor të vitit 2020 duke bllokuar bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, tha se pas miratimit të “propozimit francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, bisedimet duhet të vazhdojnë mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë. Me zbatimin e të ashtuquajturit ‘propozim francez’, si rezultat i të cilit u hoq vetoja, bisedimet në fakt tani nuk janë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Ajo që pritet është që ata të përmbushin detyrimet e tyre ndaj BE-së. Nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë”, theksoi Denkov.

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas takimit që zhvilloi më 27 gusht me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, takim që u mbajt para fillimit të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, tha se është i bindur se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE.

Pas takimit me Kovaçevskin, Michel në rrjetin social X, i dha mbështetje të plotë iniciativës për miratimin e amendamenteve kushtetuese, “pavarësisht sfidave të shumta politike”.

Për rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimin e procesit integrues u fol edhe në takimet e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Shkup më 24 dhe 25 gusht. /REL