Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu raportohet se kishte marrë që në prill të vitit 2018 raporte nga shërbimet sekrete të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të cilat përshkruanin plane të Hamasit për një pushtim të koordinuar të territorit izraelit. Lajmi bëhet i ditur nga media izraelite, të cilat i referohen dokumenteve të inteligjencës dhe burimeve të larta zyrtare.
Sipas një publikimi të portalit informativ Ynet, gjatë periudhës 2018–2022 Hamasi kishte përpunuar një plan të detajuar operativ për një sulm të gjerë dhe shumëdrejtimësh kundër bazave ushtarake dhe komuniteteve civile në jug të Izraelit. Ky plan, i formalizuar më vonë në një dokument të quajtur “Muret e Jerikos”, parashikonte sulme nga kufiri i Gazës në dhjetëra pika dhe përfshirjen e mijëra luftëtarëve.
Raporti thekson se Netanyahu, i cili ka qenë kryeministër i Izraelit që nga viti 2009, me përjashtim të periudhës 2021–2022, ishte informuar disa herë gjatë këtyre viteve për planin “Muret e Jerikos”. Kjo vjen në kundërshtim me deklaratat e tij publike, sipas të cilave ai nuk kishte parë apo dëgjuar kurrë për një plan të tillë përpara sulmit të 7 tetorit 2023.
Sipas Ynet, hera e parë e njohur kur ky plan iu përcoll udhëheqjes politike dhe ushtarake izraelite ishte në prill të vitit 2018, kur Drejtoria e Kërkimeve e Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake shpërndau një dokument informues për zyrtarë të lartë. Mes përfituesve të raportit ishin sekretarët ushtarakë të kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, drejtuesit e Shin Bet dhe Mossad, si edhe zyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së.
Dokumenti i vitit 2018, sipas burimeve të cituara, mbante si nëntitull pyetjen: “A po forcon krahu ushtarak i Hamasit kapacitetet e tij për një sulm të gjerë në thellësi të territorit tonë?”.
Publikimi shton se zyra e kryeministrit Netanyahu nuk iu përgjigj kërkesave për koment lidhur me këto raportime.
Lini një Përgjigje