Bota26 Shkurt 2023, 21:25

Drejtori i CIA-s: Putin është i vendosur për ta shkatërruar gradualisht Ukrainën!

Shkruar nga Pamfleti
Drejtori i CIA-s: Putin është i vendosur për ta shkatërruar
William Burns

Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e dytë, drejtori i CIA-s William Burns tha të dielën se Presidenti rus Vladimir Putin ka vetëbesim të tepruar tek aftësia e ushtrisë ruse për ta detyruar gradualisht Ukrainën që të dorëzohet. Gjatë një interviste televizive, Burns tha se kreu i shërbimeve ruse të zbulimit pati shpalosur gjatë një takimi në nëntor një ndjesi arrogance dhe krenarie të tepruar në të njëjtën linjë me vetë Putin se “mundet ta shfrytëzojë kohën në favor të tij, se ai beson se mundet ta dërrmojë gradualisht Ukrainën, se mundet t’i lodhë aleatët evropianë, dhe se me kalimin e kohës do të zërë vend edhe një lodhje politike”.

Kjo bisedë, gjatë së cilës Burns tha se paralajmëroi për pasoja në rast se Rusia do të përdorte një armë bërthamore në Ukrainë, ishte “shumë dekurajuese”, sipas tij.

Burns tha se mendon se Putin është “shumë i vendosur” për ta vazhduar luftën, megjithë humbjet në radhët e ushtarëve, disavantazhet taktike dhe ekonomike, si dhe dëmin ndaj reputacionit të Rusisë.

“Mendoj se Putini, në këto momente, ka vetëbesim të plotë tek aftësia e tij... për ta dëmtuar gradualisht Ukrainën”, tha Burns gjatë një interviste për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, që u transmetua të dielën. Burns tha se “në një moment të caktuar, atij do t’i duhet të përballet edhe me kostot në rritje, me arkivola që do të kthehen në disa prej zonave më të varfëra të Rusisë”, zona nga ku ai tha se janë shumë prej rekrutëve që “përdoren si mish për top”.

Burns tha gjithashtu se Putin po nënvlerëson vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën dhe se nga eksperienca e tij ka konstatuar se pikëpamjet e udhëheqësit rus janë se amerikanët “kanë çrregullime në përqendrimin e vëmendjes dhe se shumë shpejt do të orientohen drejt temave të tjera”.

Këto komente vijnë në një moment jetik të luftës, ndërsa administrata e Presidentit Biden ka krijuar bindjen se drejtuesit kinezë janë duke shqyrtuar nëse duhet ta furnizojnë Rusinë me armatime vdekjeprurëse.

“Kjo do të ishte shumë e rrezikshme dhe jo e mençur,”- tha Burns, duke shtuar se një lëvizje e tillë do të tensiononte më tej marrëdhëniet mes dy vendeve me ekonomitë më të mëdha të botës.

“Prandaj shpresoj shumë që të mos veprojnë kështu,”- tha ai.

Burns tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping, ka vëzhguar nga afër se si është zhvilluar lufta dhe “mendoj se në shumë mënyra ai është trazuar dhe kthjelluar nga ato çfarë ka parë”. Drejtori i CIA-s foli për situatën se “ku e ka sjellë arroganca e Putinit tashmë Rusinë” dhe tha se në sistemet autoritare, ku “askush nuk sfidon” udhëheqësin, “mund të bësh gabime të jashtëzakonshme”./VOA

putin ukraina