
Një kërkesë disi e pazakontë ka ardhur nga opozita në Maqedoninë e Veriut, ku kërkohet dorëheqja e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani.
Arsyeja sipas dy partive kryesore të kahut opozitar në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DRMNE është sepse është shkelur Kushtetuta pasi Osmani ka folur në gjuhën shqipe me homologun e tij spanjoll dhe jo në gjuhën zyrtare.
“Kjo është me e pakta që mund të bëj pas një lëvizje të tillë jo shtetërore, e cila është poshtëruese ndaj të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. E turpshme, jo shtetërore dhe poshtëruese është sjellja e Bujar Osmanit i cili në cilësi të ministrit të Jashtëm në takim ndërkombëtarë nuk e përdorë gjuhën maqedonase si gjuhë zyrtare të Republikës së Maqedonisë. Përkatësisht nga vizita zyrtare e Osmanit me ministrin për Punë të Jashtme të Spanjës nëpërmjet konferencës për media shihet qartë se Osmani përdorë vetëm gjuhën shqipe”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE thotë se qeveria LSDM-BDI dhe Bujar Osmani si Ministër i Jashtëm, shkelin vlerat kombëtare, duke i bërë thirrje Osmanit të nisë ta respektojë vendin dhe në komunikimet ndërkombëtare të prononcohet në gjuhën zyrtare maqedonase.
Pas akuzave të VMRO-DPMNE-së ka reaguar ministria e Jashtme maqedonase e cila me anë të një deklarate ka përgënjeshtruar në tërësi akuzat e kësaj partie.
“Në interes të së vërtetës, na lejoni t’i demantojmë plotësisht informacionet për zbatimin e papërshtatshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve gjatë takimeve dhe/ose konferencës për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Spanjës, José Manuel Albarez Bueno. Zbatimi i Ligjit për Gjuhët në të gjitha ngjarjet e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilat, meqë ra fjala, janë të shpeshta, publike dhe të shumta, zbatohet gjithmonë si duhet. Në çdo ngjarje, Ministri i drejtohet publikut vendas në dy gjuhët zyrtare të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligjin për Gjuhët, me ç’rast Ministria ofron përkthim të duhur për mediat e pranishme”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Gjithashtu zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të RMV-së kërkojnë që VMRO-DPMNE të kërkoj falje publike për krijimin e panevojshëm të konfuzionit në opinion mbi baza etnike, duke nxitur kështu tensione dhe ndarje etnike në shoqëri.
Lini një Përgjigje