Bota 1 Prill 2023, 10:33

​E pyeti për targat e Kosovës, Vuçiç kritikon gazetarin serb: Çfarë pret nga unë?

Shkruar nga Pamfleti
​E pyeti për targat e Kosovës, Vuçiç kritikon
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se nuk ka afate dhe kufizime për riregjistrimin e automjeteve me targat ilegale “KM” në RKS, duke shtuar se “nuk mund të ndikojë në lëvizjet e njëanshme të kryeministrit Albin Kurtit”.

Në kohën kur në veri të Kosovës po digjen makinat e serbëve me targa RKS, Vuçiç ka kritikuar një gazetar në Serbi kur ky i fundit e ka pyetur për konvertimin e targave.

Vuçiç nga Novi Pazar, i bëri një sërë kritikash gazetarit të televizionit “N1”, i cili e pyeti nëse targat KM do të mbeten.

“Po mundohen t’ju thonë se kur Kurti bën diçka në mënyrë të njëanshme dhe terrorizon qytetarët tanë, për këtë nuk është fajtor Kurti, fajtor është Vuçiçi. Dhe çfarë mjetesh mund të përdor për të parandaluar dhunën ndaj serbëve përveç thirrjeve të vazhdueshme intensive për paqe, bisedime, kompromise dhe gjithçka tjetër, sepse nëse them se po shkoj me armë, do të jeni i pari që do të thoni se ‘po na kthen në vitet 1990, po na çon në luftëra’, sepse me ju parimet nuk ekzistojnë, por ‘le të themi diçka kundër Vuçiçit’”, tha Vuçiç.

“Ai ka përsëritur se Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia ka të drejtë, por se nuk e di nëse do ta detyrojnë Kurtin të zbatojë gjithçka”, shkruajnë mediat serbe.

“Çfarë prisni tjetër nga unë”, ka pyetur Vuçiç, por nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse të gjithë ata që kanë automjete me targa KM do të duhet të riregjistrohen në targa të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave në nëntor të vitit të kaluar, nuk ka afate kohore apo afat skadimi, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Nga ana tjetër, djegien e makinave me targat RKS në veri të Kosovës e ka dënuar ambasadori amerikan në vend, Jeffrey Hovenier.

vuçiç kritikon gazetarin serb