Bota11 Dhjetor 2023, 22:59

Çështja e imunitetit të Trump për rastin e zgjedhjeve të vitit 2020 dërgohet në Gjykatën e Lartë

Shkruar nga Pamfleti

Çështja e imunitetit të Trump për rastin e zgjedhjeve

Prokurori i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara, i cili po drejton çështjet penale ndaj ish Presidentit Donald Trump për akuzat federale mbi përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, i kërkoi Gjykatës së Lartë të hënën të nisë shqyrtimin e shpejtë të kërkesës për imunitet të ish presidentit.

Zoti Trump ka apeluar një vendim të Gjykatëses federale Tanya Chutkan më 1 dhjetor, e cila hodhi poshtë kërkesën e tij për të pushuar çështjen, duke mos gjetur mbështetje ligjore për pozicionin e argumentuar nga avokatët e tij se ish presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për sjellje që lidhen me detyrat e tyre zyrtare.

Duke kërkuar trajtim të përshpejtuar të çështjes, madje përpara se një gjykatë më e ulët e apelit të vendosë për këtë çështje, Prokurori Smith i kërkoi Gjykatës së Lartë në një kërkesë me shkrim se çështja “paraqet një pyetje themelore në zemër të demokracisë sonë”.

Apeli i ish Presidentit Trump pezullon përkohësisht gjyqin e tij, i cili ishte planifikuar të fillonte më 4 mars 2024. “Është e një rëndësie publike urgjente që pretendimet (e zotit Trump) për imunitet të zgjidhen nga kjo gjykatë dhe që gjyqi (ndaj zotit Trump) të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur, nëse pretendimi i tij për imunitet rrëzohet”, tha Prokurori Smith.

Prokurori i Posaçëm Smith tha se pretendimet e ish Presidentit Trump, kandidati kryesor presidencial i partisë republikane në 2024, janë “thellësisht të gabuara”, duke shtuar se vetëm Gjykata e Lartë “mund t’i zgjidhë ato përfundimisht”.

Ekspertët ligjorë kanë thënë se avokatët e zotit Trump mund të përdorin apelimet e tij mbi çështjen e imunitetit për të vonuar gjyqin, duke i dhënë atij hapësirë për t’u angazhuar në fushatën kundër Presidentit demokrat Joe Biden./VOA

trump