Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton kanë kërkuar që dëshmitë e tyre para Kongresit për lidhjet me financierin Jeffrey Epstein të zhvillohen në seanca publike dhe jo me dyer të mbyllura.
Të dy janë thirrur për të dëshmuar para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili po heton marrëdhëniet e Epstein me figura të njohura politike, financiare dhe institucionale, si edhe mënyrën se si autoritetet federale kanë trajtuar informacionin për krimet e tij.
Bill Clinton ka deklaruar se një dëshmi pa praninë e publikut nuk garanton transparencë, teksa thekson se preferon të japë shpjegime në një seancë të hapur.
Ai ka theksuar se është i gatshëm të paraqitet personalisht dhe të përgjigjet për pyetjet e komitetit në mënyrë publike.
Edhe Hillary Clinton, ish-sekretare e shtetit dhe ish-kandidate presidenciale, ka mbështetur të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se çifti ka dhënë tashmë informacionin që disponon dhe se çdo dëshmi e mëtejshme duhet të bëhet në publik.
Demokratët kanë kritikuar hetimin, duke thënë se po përdoret për qëllime politike dhe jo si proces mbikëqyrës institucional. Ata kanë vënë në dukje se disa figura të tjera të përmendura në dosjet Epstein, përfshirë ish-presidentin Donald Trump, nuk janë thirrur për të dëshmuar.
Kërkesa e çiftit Cinton vjen pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i një sasie të madhe dokumentesh që lidhen me çështjen Epstein. Dosjet përfshijnë miliona faqe materiale, përfshirë dokumente, foto dhe regjistrime, të cilat po shqyrtohen nga autoritetet dhe Kongresi.
Emri i Bill Clinton shfaqet në disa prej këtyre dokumenteve, kryesisht në lidhje me udhëtime të kryera në fillim të viteve 2000 me avionin privat të Epstein. Ish-presidenti ka deklaruar më herët se këto udhëtime lidhen me aktivitete humanitare të Fondacionit Clinton dhe ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari kriminale, si edhe çdo vizitë në ishullin privat të Epstein.
Jeffrey Epstein, i dënuar për trafikim dhe abuzim seksual, vdiq në vitin 2019 në një burg federal në Nju Jork. Vdekja e tij u klasifikua zyrtarisht si vetëvrasje, por rasti vazhdon të ngjallë debat publik dhe hetime parlamentare në SHBA.
Lini një Përgjigje