
Katari i kërkoi të enjten Iranit të paguajë dëmshpërblime për atë që e cilëson si “akte të paligjshme” kundër territorit të tij, përfshirë të gjitha dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga sulmet gjatë konfliktit në rajon.
Në një letër drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit, Doha deklaron se veprimet e Teheranit “sjellin përgjegjësi ndërkombëtare” dhe kërkon kompensim të plotë për dëmet e pësuara. Autoritetet kompetente në Katar pritet të bëjnë vlerësimin përfundimtar të humbjeve.
Në dokument, Katari ripërsërit gjithashtu thirrjen ndaj Këshillit të Sigurimit që të përmbushë rolin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke marrë masa për të ndalur shkeljet dhe për të mbajtur përgjegjës autorët. Sipas Dohas, objektivat e sulmeve iraniane kanë qenë “thjesht të natyrës civile”, çka përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Irani ka justifikuar sulmet duke i lidhur ato me marrëdhëniet e Katarit me Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, edhe vende të tjera të Gjirit që strehojnë baza amerikane, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Bahreini, janë përballur me sulme të ngjashme me raketa dhe dronë.
Ndikimi ekonomik për Katarin ka qenë i ndjeshëm. Si një nga eksportuesit kryesorë globalë të energjisë, vendi është përballur me ndërprerje në prodhim dhe furnizim. Drejtori ekzekutiv i QatarEnergy deklaroi për Reuters se sulmet iraniane kanë reduktuar me rreth 17% kapacitetin e eksportit të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke shkaktuar humbje vjetore prej rreth 20 miliardë dollarësh dhe duke rrezikuar furnizimet për tregjet në Evropë dhe Azi.
Lini një Përgjigje