
Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder u takua sot me presidentin rus Vladimir Putin, kështu njoftoi media shtetërore ruse Interfax. Takimi kokë më kokë u zhvillua në Moskë dhe u përshkrua nga ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, si “i mirë dhe miqësor”.
Sipas burimeve, Putin e ka propozuar më herë Schröderin si ndërmjetës të mundshëm për bisedime me Evropën, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Propozimi është kundërshtuar ashpër nga Bashkimi Evropian.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e hodhi poshtë idenë, duke thënë se Schröderi “do të ulej në të dyja anët e tryezës”.
Kush është Gerhard Schröder?
Gerhard Schröder, 82 vjeç, ishte kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri në 2005 dhe udhëheqës i Partisë Socialdemokrate (SPD). Gjatë mandatit të tij, ai shkaktoi një përçarje të thellë me Shtetet e Bashkuara për shkak të kundërshtimit ndaj luftës në Irak, duke u pozicionuar krah Francës dhe Rusisë.
Pas largimit nga kancelaria në vitin 2005, Schröder hyri menjëherë në botën e biznesit energjetik ruso-gjerman. Ai u bë kryetar i konsorciumit për ndërtimin e gazsjellësit kontrovers Nord Stream nën Detin Baltik. Ai ka mbajtur pozicione të rëndësishme edhe në projekte të tjera energjetike ruse, duke përfshirë një vend në bord të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft, nga i cili dha dorëheqjen në vitin 2022 pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Takimi i sotëm vjen në një kohë kur Rusia kërkon kanale komunikimi me Perëndimin, ndërsa Schröderi mbetet një figurë e debatueshme në Gjermani dhe Evropë për lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin.
Lini një Përgjigje