TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Shkurt 2026, 14:57

Evropa po përgatitet të anojë nga Putini

Shkruar nga Anchal Vohra
Evropa po përgatitet të anojë nga Putini
Vladimir Putin

Përballë presionit nga Shtetet e Bashkuara, liderët evropianë po shqyrtojnë mundësinë e afrimit me presidentin rus...

Zyrtarët evropianë shkuan në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, në janar, me mendimin se do të gjenin kohë për të diskutuar me homologët e tyre nga Shtetet e Bashkuara mbi gjendjen e bisedimeve të paqes për Ukrainën, i tha një zyrtar i lartë evropian revistës Foreign Policy. Në vend të kësaj, ata u detyruan të përqendroheshin në shmangien e një konflikti ushtarak me një aleat të NATO-s lidhur me Groenlandën.

Tani, pas këtij episodi, në Evropë po dëgjohen zëra për nevojën e një Plani B. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni kanë bërë thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë, ndërsa blloku evropian përpiqet ngadalë, por me vendosmëri, të ulë varësinë nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në çështje thelbësore për sigurinë e tij.

Evropianët duhet të “gjejnë kornizën e duhur për të folur siç duhet” me rusët, tha Macron në fund të dhjetorit, duke e përshkruar situatën,  ku evropianët mbeten në plan të dytë ndërsa Shtetet e Bashkuara udhëheqin bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, si “jo ideale”.

“Së shpejti do të jetë sërish e dobishme të flitet me Vladimir Putinin,” shtoi ai. Edhe Meloni tha se beson se “ka ardhur koha” për të folur me presidentin rus. “Nëse Evropa flet vetëm me njërën nga dy palët në terren, kam frikë se kontributi që mund të japë do të jetë i kufizuar,” deklaroi ajo.

António Costa, presidenti i Këshillit Evropian që koordinon konsensusin mes 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për çështjet kyçe, i tha një grupi të vogël gazetarësh, përfshirë Foreign Policy, më 27 janar, se edhe pse nuk mbështet një proces paralel që mund të pengojë bisedimet e udhëhequra nga SHBA, evropianët duhet të jenë të gatshëm të negociojnë me Rusinë nëse lind nevoja.

Ky ndryshim në strategjinë evropiane nxitet nga vetë presidenti amerikan Donald Trump, i cili jo vetëm i ka lënë evropianët jashtë tryezës gjatë hartimit të një paqeje që ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë evropiane, por ka propozuar edhe një plan paqeje prej 28 pikash për luftën Rusi–Ukrainë.

Sipas Wall Street Journal, ky plan parashikon riintegrimin e Rusisë në ekonominë globale dhe rikthimin e rrjedhës së furnizimeve energjetike ruse drejt Evropës Perëndimore.

Ekspertët i thanë Foreign Policy se plani i parë i Trump-it dukej se i premtonte Moskës përdorimin e aseteve ruse të ngrira në Evropë për projekte që do të përfitonin kompani amerikane dhe ruse – pa asnjë diskutim paraprak me Parisin, Brukselin apo Berlinin.

Evropa ndodhet në një udhëkryq. Ajo ose mund t’ia lërë negociatat me Rusinë Trump-it, pa asnjë siguri për rezultatet, ose mund të ndjekë një qasje pragmatike dhe të komunikojë vetë me Putinin, pavarësisht marrëdhënieve në nivelin më të ulët historik.

Evropianët mund të mos e dëshirojnë rikthimin e lidhjeve me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës dhe përdorimit të vazhdueshëm të dronëve për të kërcënuar territorin e NATO-s, por ata e pranojnë se kjo mund të jetë një përfundim i pashmangshëm i çdo marrëveshjeje. Ata tashmë e kanë sinjalizuar këtë mundësi.

Në reagimin e tyre të parë ndaj planit 28-pikësh të Trump-it, një propozim i mbështetur nga fuqitë evropiane riformuloi klauzolën për lidhjet ekonomike dhe tha se Rusia do të “riintegrohet gradualisht” në ekonominë globale.

Kontrolli ekonomik i BE-së përmes sanksioneve dhe miliardat e dollarëve të aseteve ruse të ngrira në juridiksionin e saj i ofrojnë Evropës një levë të rëndësishme për të arritur një marrëveshje të vetën.

Megjithatë, evropianët preferojnë një lehtësim të fazuar dhe të kufizuar të sanksioneve, si shpërblim në hapa të vegjël për sjellje më të mirë nga Rusia, dhe jo një dhuratë të menjëhershme nga Trump për interesat e tij në marrëdhëniet me Putinin.

Përveç kërkimit të kushteve më të favorshme në një marrëveshje të mundshme, ekspertët e tregtisë kanë vënë në dukje se shumë vende evropiane nuk i kanë shkëputur kurrë plotësisht lidhjet tregtare me Rusinë, duke treguar një mospërputhje të thellë mes deklaratave publike dhe politikave reale ekonomike.

Strategjia e BE-së deri tani ka reflektuar “më shumë një pauzë” në marrëdhëniet e biznesit me Rusinë “sesa një dalje të plotë”, i tha Foreign Policy, Darshak S. Dholakia, këshilltar për përputhshmërinë me ligjet e tregtisë ndërkombëtare dhe sanksionet. Me përshpejtimin e negociatave, shtoi ai, “ka shumë shpresë në komunitetin e biznesit, si në SHBA ashtu edhe në Evropë, se lidhjet tregtare mund të rifillojnë”.

Pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës, mijëra kompani evropiane nuk janë larguar kurrë nga vendi. Ato kanë përmendur pengesa ligjore, angazhime ndaj punonjësve lokalë dhe interesa fitimi. Sipas projektit Leave Russia, që monitoron bizneset e huaja në Rusi, mbi 2.300 kompani të huaja kanë vendosur të qëndrojnë në një formë ose tjetër, ndërsa vetëm 547 janë larguar plotësisht.

Mes vendeve të BE-së, kompanitë gjermane përbëjnë kontingjentin më të madh të atyre që kanë qëndruar ose nuk janë larguar ende plotësisht nga Rusia 377, ndërsa vetëm 83 janë larguar. Franca renditet e dyta, me vetëm 39 kompani që janë larguar plotësisht, ndërsa 147 vazhdojnë të operojnë në një formë. Më shumë se 140 kompani italiane janë ende aktive në Rusi, ndërsa vetëm tetë janë larguar plotësisht.

Andrii Onopriienko, zëvendësdrejtor për zhvillimin në Shkollën e Ekonomisë në Kiev dhe drejtues i projektit Leave Russia, i tha Foreign Policy se shumë nga firmat që vazhdojnë të operojnë në Rusi duket se i japin përparësi “vazhdimësisë ekonomike ndaj shqetësimeve reputacionale ose etike, duke i justifikuar vendimet me kontrata, interesa të aksionarëve dhe kompleksitet ligjor, më shumë sesa me përputhjen politike me objektivat e sanksioneve të BE-së”.

“Kjo prirje tregon se stimujt tregtarë vazhdojnë të peshojnë më shumë se imperativi politik për t’u shkëputur plotësisht,” shtoi ai.

Kufijtë e BE-së janë shfaqur prej kohësh, përmes përjashtimeve të ndryshme nga sanksionet ekzistuese dhe ritmit të ngadaltë në goditjen e bizneseve ruse. Që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë, BE-ja ka miratuar 19 paketa sanksionesh, duke shtuar çdo herë emra të rinj dhe duke rritur presionin, por jo deri në maksimum.

“Evropianët nisën me sanksione ndaj bankave ruse, pastaj gradualisht ndaj importeve të energjisë, kryesisht për të mos i shteruar të gjitha mjetet dhe për të mos e kthyer Rusinë në një shtet plotësisht të izoluar, si Irani apo Koreja e Veriut,” tha Dholakia, duke shtuar se “politikisht duket keq, por ideja ishte të mos izolohej Rusia si një shtet paria, por të mbahej e integruar në një mënyrë që të lejonte ushtrimin e njëfarë presioni.”

Megjithatë, presioni fiskal rezultoi një pengesë e pamjaftueshme, ndoshta sepse evropianët vazhduan të derdhnin miliarda në ekonominë ruse. Sipas ministres së Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, BE-ja i ka paguar Rusisë 311 miliardë euro për importe që nga viti 2022, ndërsa ka ofruar 187 miliardë euro ndihmë për Ukrainën gjatë së njëjtës periudhë.

BE-ja ka ulur ndjeshëm importet e gazit përmes tubacioneve, por importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) – që ranë nga 20 për qind në vitin 2021 në 15 për qind një vit më pas – u rritën sërish në vitin 2024 në nivele para luftës. Në vitin 2025, BE-ja ende importonte 13 për qind të LNG-së së saj totale nga Rusia.

BE-ja mbetet gjithashtu e varur nga importet e plehrave kimike ruse. Edhe pse pjesa e Rusisë në importet totale të plehrave të bllokut ra në 13 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2025, Rusia mbeti furnizuesi i dytë më i madh. Po ashtu, pllakat e çelikut rus vazhdojnë të shiten në BE përmes degëve lokale.

Sipas një hetimi të Ukrainska Pravda, kompania Novolipetsk Steel (NLMK), kryesisht në pronësi të oligarkut rus Vladimir Lisin, vazhdon të eksportojë pllaka çeliku në disa vende evropiane. Media raportoi se kompania është thellësisht e integruar në zinxhirët rusë të furnizimit për mbrojtjen dhe ka furnizuar të paktën 22 objekte të sektorit të mbrojtjes në Rusi, përfshirë prodhues dronësh dhe raketash lundruese e balistike. As Novolipetsk Steel dhe as Lisin nuk janë sanksionuar nga BE-ja.

“NLMK mund të mos jetë klasifikuar si subjekt që plotëson kriteret për sanksione nga Këshilli,” tha Onopriienko. “Prodhuesit e mëdhenj të çelikut kanë gjurmë ekonomike në vendet e BE-së, që e komplikojnë vendosjen e sanksioneve pa pasoja të ndërsjella për punësimin dhe zinxhirët evropianë të furnizimit.”

Një burim i brendshëm i NLMK-së, që foli në kushte anonimiteti, i tha Foreign Policy se BE-ja është përballur me presion në vende si Belgjika, ku operon një degë e kompanisë, për shkak të frikës nga humbja e vendeve të punës.

Ndërkohë, gjiganti rus i energjisë Lukoil i ka shpëtuar deri tani një ndalimi të plotë ose ngrirjes së aseteve nga BE-ja. “Ndërsa SHBA e ka sanksionuar plotësisht Lukoil-in, BE-ja ka sanksionuar vetëm një degë të tij, jo kompaninë në tërësi,” tha Dholakia.

“Shumë vende evropiane varen nga Lukoil për nevojat e tyre energjetike dhe BE-ja ndoshta nuk ka dashur të ushtrojë presion të tepruar mbi anëtarët e saj.”

Në përgjigje të pyetjeve për Lukoil-in dhe NLMK-në, një zëdhënës i BE-së tha se diskutimet për sanksionet janë konfidenciale dhe në dorën e shteteve anëtare: “Ato miratohen nga 27 shtetet anëtare me unanimitet. BE-ja nuk mund të komentojë publikisht mbi to.”

Nga njëra anë, Franca udhëheq një të ashtuquajtur “koalicion të vullnetarëve” së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe ka nënshkruar një deklaratë qëllimi për dërgimin e trupave në Ukrainë për të monitoruar një paqe të ardhshme. Nga ana tjetër, Framatome, një degë e kompanisë franceze EDF, po shtyn për një sipërmarrje të përbashkët me TVEL, pjesë e Rosatom, kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, për prodhimin e shufrave të karburantit bërthamor në Gjermani.

“Aktualisht, Rosatom nuk është pjesë e listës sonë të sanksioneve,” shtoi zëdhënësi i BE-së, edhe pse blloku ka kufizuar aksesin e Rusisë në mallra dhe teknologji bërthamore. “Komisioni është i përkushtuar të heqë gradualisht importet bërthamore ruse në mënyrë të rregullt dhe të sigurt,” tha për Parlamentin Evropian në gusht përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.

Evropianët janë përpjekur të shkëputen nga importet ruse, por kanë mbetur të varur. Ata kanë qenë të përçarë në zbatimin e sanksioneve dhe kanë krijuar përjashtime për të mbrojtur interesat ekonomike lokale. Shumë biznese evropiane preferojnë të mbeten të lidhura me Moskën dhe të rifillojnë marrëdhëniet.

Lidhjet e BE-së me Rusinë nuk do të kthehen në epokën optimiste para pushtimit të Ukrainës, kur evropianët besonin se tregtia mund të frenonte prirjet autoritare të Putinit. Por, në kushtet aktuale, Evropa është tashmë e lidhur me “ngacmuesin” e saj rajonal dhe dhënia e koncesioneve ekonomike mund të bëhet së shpejti e pashmangshme. /Përshtatur nga Foreign Policy/

Lini një Përgjigje