TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Qershor 2024, 22:46

Çfarë po e shtyn Evropën drejt së djathtës ekstreme dhe cilat do të jenë pasojat?!

Shkruar nga Peter Conradi

Çfarë po e shtyn Evropën drejt së djathtës ekstreme

Partitë “radikale” apo ekstremit të djathtë, po qeverisin tashmë Italinë dhe Hungarinë, dhe janë forca dominuese në koalicionin e ri qeveritar në Holandë. Po ashtu ato janë anëtare të vogla të koalicioneve qeverisëse në disa vende të tjera evropiane...

Jean Benoit, nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme, do të votojë për herë të parë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të dielën e ardhshme. Dhe ai nuk ka asnjë dyshim se cilën parti do të mbështesë:Tubimin Kombëtar, të drejtuar nga Jordan Bardella.

“Ai do të ndalojë emigracionin dhe do ta bëjë sërish franceze Francën”, thotë Benoit, 18 vjeç, pasi e dëgjoi Bardella-n, që nuk është më shumë se 10 vjet më i madh ai, duke folur në një takim elektoral në Hénin-Beaumont, një ish-qytezë minatorësh në veri të vendit.

“Ai është shumë i aftë në TikTok, Instagram dhe rrjetet e tjera sociale sepse është i ri, por edhe pse është një person pozitiv”-shton ai. Fanse e Bardela është edhe e dashura e Benoit, Maelys Dubromel, gjithashtu 18 vjeçe. “Është hera e parë që shkoj në një nga takimet e tij, dhe nuk u zhgënjeva”-shprehet ajo.

Ky çift, ishte në mesin e një numri jashtëzakonisht të madh të rinjsh, që u dyndën në tubimin e mbajtur në një sallë në periferi të qytetit, i shndërrua në një bastion i partisë së ekstremit të djathtë. Në të morën pjesë edhe adoleshentë ende shumë të rinj për të votuar. “Bardella është karizmatik dhe në të njëjtën kohë i drejtpërdrejtë në mesazhet që përcjell”-deklaron Cyril Leëicki, 17 vjeç.

Por nuk ndodh vetëm në Francë, që shumë të rinj nën moshën 30 vjeçare, të anojnë nga e djathta ekstreme. Partitë “radikale” apo ekstremit të djathtë, po qeverisin tashmë Italinë dhe Hungarinë, dhe janë forca dominuese në koalicionin e ri qeveritar në Holandë. Po ashtu ato janë anëtare të vogla të koalicioneve qeverisëse në disa vende të tjera evropiane.

Tani këto parti mund të dërgojnë një numër rekord deputetësh në Strasburg, pjesërisht falë mbështetjes së madhe që kanë fituar tek votuesit e rinj. Sipas sondazhit të fundit të Politico, partitë e ekstremit të djathtë parashikohet të fitojnë 184 nga 720 vendet në parlamentin e ri. Pra me shumë se 170 deputetët që parashikohet të marrë Partia Popullore Evropiane, një aleancë e partive kombëtare të qendrës së djathtë, që ka qenë grupi më i madh në PE që nga viti 1999. Dallimet midis politikave, sidomos mbi luftën në Ukrainë, kanë bërë që ata të ndahen në 2 grupe rivale, duke e zbehur ndikimin e tyre.

Por ka shenja se gjërat mund të ndryshojë pas votimit. Joshja e Tubimit Kombëtar për të rinjtë francezë, të cilët dikur votuan në shumicë për të majtën, është fryt i përpjekjeve të gjata të mentores së Bardell, Marine Le Pen, për ta de-toksifikuar partinë dhe për të zbutur imazhin e saj që kur ajo mori në vitin 2011 kontrollin e partisë së drejtuar historikisht nga babai i saj, Jean-Marie Le Pen.

Kur Marine Le Pen, humbi përballë Emmanuel Macron me 18 për qind diferencë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, ajo sërish fitoi votat e 49 për qind të

25-34-vjeçarëve. Tek kjo mund të ketë ndikuar edhe pretimi i Le Pen, për t’i çliruar të rinjtë nën moshën 30 vjeçare nga tatimi mbi të ardhurat.

Por ajo ka pasur si prioritet edhe promovimin e aktivistëve të rinj, përfshirë vetë Bardella-n. I lindur në një familje emigrantësh italianë në periferi të Parisit, ai kryesoi listën e Tubimit Kombëtar për zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian në moshën 23-vjeçare, dhe u bë drejtues i partisë vetëm disa muaj pas ditëlindjes së tij të 27-të.

Tani Tubimi Kombëtar pritet të fitojë 32 për qind të votave, krahasuar me 15 për qind për partinë centriste Renaissance (Rilindja) të presidentit Macron dhe 14 për qind për socialistët. Lista e këtyre të fundit kryesohet nga Raphaël Glucksmann, 44 vjeç, shkrimtar dhe aktivist, fushata e të cilit e ka konfirmuar atë si një yll në ngjitje i të majtës franceze.

Në anën tjetër të Rinit, zhvendosja drejt të djathtës në mesin e të rinjve, është e kohëve më të fundit. Deri pak muajt më parë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, e kishte mbështetjen e saj kryesore nga votuesit e moshës së mesme, veçanërisht në ish-lindjen komuniste të vendit.

Por tani ajo është partia më popullore në mesin e të rinjve nën 30 vjeç:22 për qind e tyre e mbështesin AfD, nga vetëm 9 për qind në vitin 2022. Pavarësisht një sërë gafash të muajve të fundit që e dëmtuan në sondazhe, AfD renditet në shkallë kombëtare me rreth 16 për qind të votave, duke konkurruar me socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz për vendin e dytë pas Kristiandemokratëve të CDU-së që janë të parët.

Një nga zhvillimet më të dëmshme, ishte deklarata skandaloze e Maximilian Krah, i cili kryeson listën e partisë për zgjedhjet evropiane. Ai pohoi në një intervistë për një gazetë italiane muajin e kaluar, se burrat që shërbyen në SS naziste “nuk ishin të gjithë kriminelë”.

Por AfD ia ka dalë të kanalizojë me sukses pakënaqësinë me politikat e ndjekura nga koalicioni jopopullor trepartiak i Olaf Scholz. Ashtu si Bardella, politikanët e saj i kanë përdorur me mjeshtëri mediat sociale - veçanërisht TikTok - në një palë zgjedhje ku 16 dhe 17-vjeçarët gjermanë do të votojnë për herë të parë.

“Këto janë zgjedhjet e para të BE-së, ku TikTok luan një rol të madh në qasjen ndaj të rinjve. Në këtë platforme, kandidatët duhet të jeni emocionues, polarizues dhe provokues në video-mesazhet e tyre, sidomos në sekondat e para, pasi në atë moment përdoruesi do të vendosë nëse do të vazhdojë të shohë videon apo do të kalojë tek një video tjetër. Ka një ngjashmëri të madhe midis mënyrës se si funksionon algoritmi TikTok dhe mënyrës se si funksionojnë komunikimet populiste të krahut të djathtë”-thotë analisti Johannes Hillje.

Ndërkohë sipas një studimi të fundit nga televizioni shtetëror gjerman ZDF, videot e AfD në TikToku,u panë gati 8 herë më shumë se ato të publikuara nga partia e dytë, Demokratët e Lirë. Social Demokratët mbeten akoma më mbrapa, pavarësisht debutimit të vonuar të Scholz në prill në këtë platformë.

Afd ka qenë shumë efektive në bërjen e politikës sa më personale. “Një në tre të rinj nuk ka pasur kurrë një të dashur. A jeni ju njëri prej tyre?”- nis një klip 20-sekondësh i AfD në TikTok që është parë nga 1.4 milion njerëz. “Mos shihni pornografi, mos votoni për të Gjelbrit… Dhe mbi të gjitha, mos lejoni askënd t’ju thotë se duhet të jeni të dashur, të butë, të dobët dhe të majtë”. Përfundimi i video-mesazhit? “Burrat e vërtetë janë ata të krahut të djathtë. Burrat e vërtetë kanë ideale. Burrat e vërtetë janë patriotë. Atëherë do të keni një të dashur”.

Ndërkohë, në vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore, partitë e së djathtës ekstreme po përfitojnë nga zhgënjimi i shumë të rinjve me demokracinë, thotë Rumena Filipova, themeluese e Institutit për Analitikën Globale, një institut me qendër në Bullgari që kryen sondazhe në të gjithë rajonin.

Pavarësisht suksesit të tyre të mundshëm në këto zgjedhje, këto parti do të mbeten gjithsesi pakicë edhe në parlamentin e ri, megjithëse do të përpiqen të lënë gjurmë duke dobësuar politikat ambjentaliste, apo duke bllokuar hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian.

Po ashtu, rritja e tyre mund të vështirësojë përpjekjet e Ursula von der Leyen për të fituar një mandat të dytë si president i Komisionit Evropian, gjë që do të kërkojë jo vetëm mbështetjen e liderëve kombëtarë, por edhe një shumicë në PE. Si pjesë e përpjekjeve të saj, Von der Leyen ka joshur Giorgia Meloni, udhëheqësen italiane të së djathtës radikale. Por kjo lëvizje rrezikon të distancojë prej saj eurodeputetët e qendrës, votat e të cilëve i nevojiten. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Sunday Times”

Lini një Përgjigje